Prokurori Hajrullahi mohon akuzat ndaj tij: Ma orkestruan Lupço Kocevskin dhe Fatime Fetain
Kryetari i suspenduar i Prokurorisë së Lartë Publike të Shkupit, Mustafa Hajrullahi ka mohuar kategorikisht akuzat e ngritura sot ndaj tij nga Prokuroria Publike në Shtip me pretendimin se ka ofenduar dhe ka keqtrajtuar punonjëse gra të Prokurorisë Publike.
“I refuzoj kategorikisht të gjitha pretendimet nga aktakuza në fjalë, në asnjë rast nuk kam ngacmuar apo ofenduar askënd. Dëshmi për këtë janë deklarimet e punonjësve të tjerë që kanë aplikuar vullnetarisht dhe secili prej tyre ka dorëzuar emrin, mbiemrin dhe adresën e tij, për t’u thirrur nga prokurorja publike Tatjana Kacarova dhe për të treguar gjendjen reale në Prokurorinë e Lartë Publike, e jo konstruksionet e bëra nga prokurorja Fatime Fetai dhe shoqëria e saj, të cilat gjoja se janë të dëmtuar nga unë. Është e çuditshme se si kjo prokurore publike, gjegjësisht Tatjana Kacarova, nuk pranoi si dëshmitare punonjësit e Prokurorisë së Lartë Publike Shkup, të cilat janë me rëndësi të madhe, sepse ata ishin të pranishëm në çdo takim të mbajtur nga unë si prokuror i lartë publik me punonjësit e Prokurorisë së Lartë Publike Shkup, dhe Fatime Fetai u pranua si dëshmitare dhe ajo dëshmoi në këtë rast, megjithëse ajo kurrë nuk mori pjesë në ndonjë takim me punonjësit”, shprehet Hajrullahi për AIM-në.
Sipas tij, kjo aktakuzë nga Prokuroria Publike Shtip vjen pasi ai njoftoi në një potkast disa ditë më parë se Ministria e Brendshme ka ngritur kallëzim penal kundër dy ish-prokurorëve publikë nga Prokuroria Speciale Publike (PSP) – Lile Stefanova dhe Burim Rustemi.
“Pse po bëhet sot dhe pse pikërisht në këtë periudhë është më se e qartë, sepse pak ditë më parë në një potkast njoftova se ndaj dy ish-prokurorëve publikë nga PSP, përkatësisht ndaj Lile Stefanovës dhe Burim Rustemit, është bërë kallëzim penal nga Ministria e Brendshme ndaj të njëjtave pretendime siç ishte rasti me ‘Reket 1’, tani është pagëzuar ‘Reket 2’. Duke dashur të largojë vëmendjen dhe publikun që të mos interesohet për ngjarjet në PSP-në e atëhershme, e në lidhje me rastin ‘Reket 2’, Prokuroria Publike tani lëshon njoftim dy muaj më vonë për aktakuzën”, tha Hajrullahi.
Aktakuza, shtoi ai, është konstruksion i prokurorit publik republikan Ljupço Kocevski, i cili, sipas Hajrullahit, së bashku me prokuroren publike Fatime Fetai, pesë punonjësit e Prokurorisë së Lartë Publike dhe prokurorin publik Gavrill Bubevski, në këtë mënyrë dëshiron të mbrojë të pandehurit në rastin e njohur publikisht si “Bonuset e PSP-së”.
“Imagjinoni pas dy muajsh Prokuroria Publike del në lidhje me aktakuzën edhe pse aktakuza ende qëndron pezulll dhe nuk dihet fizikisht se ku ndodhet, qoftë në Gjykatën Themelore Shtip, qoftë në Gjykatën Supreme apo në Gjykatën Themelore Shkup. Intensiteti është i qartë, që është për të shpëtuar lëkurën e tyre, respektivisht për të shpëtuar veten nga ‘Bonuset në PSP’, për të larguar vëmendjen, respektivisht zhvillimet e fundit në Prokurorinë Publike ku Lile Stefanova dhe Burim Rustemi dyshohen për krim siç ishte në rastin ‘Reket 1’. Gjithashtu, Lupço Kocevski duhet të jetë nën hijen e skandaleve të fundit që kanë lindur në lidhje me përgjimin ku ai është aktori kryesor i atij përgjimi, sepse vetëm ai ishte i ngarkuar me masat speciale hetimore dhe se çdo masë u zbatua me nënshkrimin e tij”, theksoi Hajrullahi.
Ndryshe, Prokuroria Themelore Publike në Shtip pas hulumtimit të plotë të kryer dhe provave të siguruara, ngriti padi kundër Mustafa Hajrullahu për pesë vepra penale “keqtrajtim gjatë kryerjes së shërbimit” nga neni 143, si dhe veprën penale “keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar” nga neni 353, paragrafi 1 i Kodit penal.


