Projekti për zgjerimin e ngrohjes në Prishtinë në pikëpyetje, Sveçla akuzon Ramën
Drejtuesi i Grupit të Asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Prishtinës, Gëzim Sveçla, ka ngritur shqetësime lidhur me rrezikimin e projektit për zgjerimin e sistemit të ngrohjes qendrore në kryeqytet.
Përmes një postimi në Facebook, Sveçla ka thënë se bëhet fjalë për një nga investimet më të mëdha energjetike në Prishtinë, me vlerë mbi 80 milionë euro.
“Një nga investimet më të mëdha energjetike në historinë e Prishtinës, në vlerë prej mbi 80 milionë eurosh, që do t’u mundësonte shumë banorëve të qytetit kyçjen në sistemin e ngrohjes qendrore, tashmë është rrezikuar seriozisht”, ka shkruar Sveçla.
Sipas tij, projekti parasheh shtimin e 50 megavatëve kapacitet të ri për ngrohje, zgjerimin e rrjetit në lagjet Arbëri, Tophane dhe zona të tjera të kryeqytetit, si dhe mijëra kyçje të reja.
Sveçla ka thënë se projekti do të ndikonte edhe në uljen e ndotjes së ajrit, përmes reduktimit të përdorimit të formave alternative të ngrohjes.
Ai ka akuzuar kryetarin e Prishtinës, Përparim Ramën, se Komuna nuk i ka përmbushur obligimet kontraktuale ndaj Komunës së Obiliqit, ndërsa ka ngritur kritika edhe për menaxhimin e brendshëm në ndërmarrjen publike “Termokos”.
“E gjithë kjo tash është vënë në pikëpyetje sepse Përparim Rama nuk e ka kryer pjesën e punës që i takon Komunës së Prishtinës në raport me obligimet kontraktuale ndaj Obiliqit, si dhe për shkak të keqmenaxhimit të brendshëm në ndërmarrjen ‘Termokos’”, ka deklaruar ai.
Sveçla ka pretenduar se situata ka arritur deri në atë pikë sa Banka Gjermane për Zhvillim, KfW, i ka dërguar letër paralajmëruese kryetarit të Prishtinës.
“Situata ka arritur deri aty sa KfW-ja gjermane i ka dërguar Kryetarit të Prishtinës letër paralajmëruese”, ka shkruar Sveçla.
Ai ka vlerësuar se një projekt i financuar kryesisht përmes granteve dhe financimit ndërkombëtar po rrezikohet nga, siç e ka cilësuar, “papërgjegjësia dhe neglizhenca e qeverisjes komunale”.
Postimi i Sveçlës vjen në një kohë kur KfW-ja ka konfirmuar se i ka dërguar një letër Bordit të Drejtorëve të “Termokosit”, por ka sqaruar se bëhet fjalë për komunikim të brendshëm me ndërmarrjen në cilësinë e Agjencisë Zbatuese të Projektit. KfW-ja nuk ka komentuar publikisht përmbajtjen e letrës. /Telegrafi/


