Please enter at least 3 characters.

Profesori Kolë Krasniqi thotë se është propozuar për president të Kosovës

Profesori i Fakultetit Juridik, Kolë Krasniqi, ka bërë të ditur se është propozuar si kandidat për President të Republikës së Kosovës.

Ai në një postim në Facebook thotë se Republika e Kosovës ka nevojë për institucione që gëzojnë besim, për një presidencë që bashkon e nuk përçon ndarje, që ruan ekuilibrat kushtetues dhe që përfaqëson dinjitetshëm shtetin në planin e brendshëm dhe ndërkombëtar

Lexoni të plotë postimin e tij:

Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës,

Të nderuar përfaqësues të medieve,

Me përgjegjësi të lartë morale dhe me ndjenjë të thellë reflektimi kam pranuar njoftimin se Rrjeti Intelektual Shqiptar më ka propozuar si kandidat për President të Republikës së Kosovës. Këtë propozim nuk e konsideroj si nder personal, por si shprehje të një shqetësimi të sinqertë qytetar për gjendjen e institucioneve tona dhe për nevojën e një udhëheqjeje që mbështetet mbi etikën, dijen dhe përgjegjësinë publike.

Formimi im akademik perëndimor, i ndërtuar në universitete ku mendimi kritik, autonomia morale dhe respekti për shtetin e së drejtës janë parime themelore, më ka mësuar se pushteti nuk është privilegj, por barrë; jo mjet afirmimi personal, por shërbim ndaj shoqërisë. Në këtë kuptim, çdo angazhim publik duhet të kalojë përmes filtrit të ndërgjegjes, ligjshmërisë dhe interesit afatgjatë të shtetit.

Republika e Kosovës ka nevojë për institucione që gëzojnë besim, për një presidencë që bashkon e nuk përçon ndarje, që ruan ekuilibrat kushtetues dhe që përfaqëson dinjitetshëm shtetin në planin e brendshëm dhe ndërkombëtar. Presidenti duhet të jetë figurë unifikuese, e pavarur nga interesat e ngushta politike, e aftë të dialogojë me të gjitha subjektet politike, institucionet shtetërore dhe shoqërinë civile, mbi bazën e respektit dhe përgjegjësisë kushtetuese.

Nëse ky propozim do të marrë trajtë konkrete institucionale dhe politike, unë do ta shqyrtoj me seriozitet maksimal, në përputhje të plotë me Kushtetutën e Republikës, me parimet e demokracisë parlamentare dhe me bindjen time se integriteti personal nuk guxon të komprometohet për asnjë funksion publik. Kosova ka nevojë për qetësi institucionale, maturi politike dhe rikthim të besimit qytetar – jo për aventura personale apo projekte të ndërtuara mbi emocione të momentit.

Në çdo rrethanë, do të mbetem i përkushtuar ndaj dijes, të vërtetës dhe shërbimit publik, sepse besoj se vetëm një shtet i udhëhequr nga ndërgjegjja dhe arsyeja mund të garantojë të ardhmen që qytetarët e Kosovës meritojnë.

Ju faleminderit. /Telegrafi/