Please enter at least 3 characters.

Priten rezultatet e analizave të ujit në Gostivar, mbi 350 kontrolle në spital për 24 orë

Në Gostivar priten rezultatet e analizave të institucioneve kompetente mbi shkakun dhe shfaqjen e numrit të shtuar të pacientëve me ankesa në stomak.

Që nga mbrëmë, ka filluar shpërndarja e ujit të pijshëm përmes shërbimeve qeveritare, dhe aksionit po i bashkohen edhe individë dhe kompani.

Sipas Ivica Tomovskit, drejtor i Shërbimit për Punë të Përgjithshme dhe Përbashkëta, 50 mijë litra ujë të paketuar do të shpërndahen çdo ditë në Gostivar. Epidemiologët dje shpallën epidemi për shkak të numrit të shtuar të personave që janë ankuar për probleme shëndetësore.

Informacioni i fundit nga Ministria e Shëndetësisë është se institucionet kompetente shëndetësore vazhdojnë me monitorimin dhe hulumtimin intensiv të numrit të shtuar të personave me simptoma të gastroenterokolitit në zonën e Gostivarit.

Sipas informacionit, në periudhën nga 18 korriku në orën 08:00 deri më 19 korrik në orën 08:00, në Spitalin e Përgjithshëm në Gostivar janë regjistruar: 204 ekzaminime në Departamentin e Sëmundjeve Infektive, me tre persona të shtruar në spital; 140 ekzaminime në Departamentin e Pediatrisë, nga të cilat 105 të reja dhe 35 kontrolluese; nëntë ekzaminime në Qendrën e Emergjencës.

"Pasqyra klinike te shumica e pacientëve është e lehtë, ndërsa numri i personave të shtruar në spital mbetet i ulët. Megjithatë, për shkak të numrit të shtuar të pacientëve në një periudhë të shkurtër kohore, situata trajtohet si ngjarje epidemike aktive dhe po kryhen të gjitha aktivitetet e nevojshme epidemiologjike, laboratorike dhe parandaluese", deklaron Ministria e Shëndetësisë.

Pas shpalljes së epidemisë, Qendra e Shëndetit Publik në Gostivar kryen inspektime në terren, anketa epidemiologjike dhe mbledhje të dhënash nga pacientët. Deri më tani, janë paraqitur rreth 140 raporte formale për sëmundje infektive, të cilat po përpunohen nga ekipet epidemiologjike të Qendrës së Shëndetit Publik të Tetovës dhe Institutit të Shëndetit Publik.

"Instituti i Shëndetit Publik është i përfshirë në hetim me mbështetje nga ekspertë dhe laboratorë, dhe ekipet e përbashkëta vazhdojnë të anketojnë të sëmurët, të analizojnë ekspozimet e mundshme të përbashkëta dhe të shqyrtojnë mikrobiologjikisht mostrat e marra", thonë nga MSH.

Sipas informacioneve të fundit, janë duke u zhvilluar: hulumtimi epidemiologjik dhe monitorimi aktiv i rasteve të reja; ekzaminimet mikrobiologjike të mostrave të pacientëve; ekzaminimet e mostrave të ujit dhe vlerësimi i burimeve të mundshme të infeksionit; mbikëqyrja e furnizimit me ujë dhe kushteve sanitare dhe higjienike; koordinim me Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë, Inspektoratin Shtetëror Sanitar dhe Shëndetësor dhe institucionet lokale.

Për sot është paralajmëruar konferencë për shtyp në qendrën qeveritare të shtypit, në të cilën pritet të paraqiten rezultatet e analizave të ujit nga ujësjellësi i qytetit dhe detaje rreth rastit në Gostivar.