Please enter at least 3 characters.

Prishtina miraton Strategjinë e Rinisë 2026–2034, Rama paralajmëron riaktivizimin e Këshillit Lokal Rinor

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar për hartimin e Strategjisë së Rinisë 2026–2034, e cila shoqërohet me një plan veprimi katërvjeçar dhe synon fuqizimin e rolit të të rinjve në kryeqytet.

Sipas tij, strategjia është ndërtuar mbi pesë shtylla kryesore që përfshijnë pjesëmarrjen e të rinjve në vendimmarrje, fuqizimin ekonomik dhe ndërmarrësinë, edukimin joformal dhe inovacionin, krijimin e hapësirave rinore, si dhe mirëqenien dhe shëndetin mendor.

“Është hartuar Strategjia e Rinisë 2026–2034, e shoqëruar me plan veprimi 4-vjeçar, e ndërtuar mbi 5 shtylla kryesore”, ka bërë të ditur Rama.

Ai ka theksuar se dokumenti përfshin indikatorë të matshëm dhe një buxhet të planifikuar, në përputhje me objektivat ndërkombëtare.

Ndër të tjera, Rama ka vënë në dukje se për rreth tetë vite kanë qenë jofunksionale Këshilli Lokal Rinor dhe qendrat rinore në Prishtinë.

“Po ashtu, për rreth 8 vite kanë qenë jofunksionale Këshilli Lokal Rinor dhe qendrat rinore”, ka deklaruar ai.

Në kuadër të hapave të ardhshëm, kryetari i Prishtinës ka paralajmëruar riaktivizimin e Këshillit Lokal Rinor dhe krijimin e një platforme digjitale për angazhimin e të rinjve.

“Hapat e radhës: riaktivizimi i Këshillit Lokal Rinor dhe krijimi i platformës digjitale ‘Prishtina Youth’ për angazhimin e të rinjve”, ka shtuar Rama.

Në fund, ai ka theksuar rëndësinë e të rinjve për zhvillimin e qytetit.

“Të rinjtë janë potenciali më i madh i qytetit tonë është koha t’u japim hapësirën dhe mbështetjen që meritojnë”, ka përfunduar ai. /Telegrafi/