Please enter at least 3 characters.

Presidenti finlandez, Stubb: Ukraina është në pozitën më të fortë që nga fillimi i luftës

Presidenti i Finlandës, Alexander Stubb, deklaroi se Ukraina ndodhet në pozitën e saj më të fortë që nga fillimi i pushtimit rus, duke vlerësuar se sulmet e intensifikuara me dronë në territorin rus kanë ndryshuar ekuilibrin strategjik dhe kanë forcuar ndjeshëm pozitën negociuese të Kievit.

Sipas Stubb, të gjithë liderët e NATO-s mbështesin goditjet e Ukrainës ndaj objektivave ushtarake brenda Rusisë, pasi ato synojnë ta detyrojnë Moskën të rikthehet në tryezën e bisedimeve.

Ai theksoi se, pavarësisht shqetësimeve për një përshkallëzim të mundshëm bërthamor nga Rusia, fushata ukrainase me dronë ka ndryshuar mënyrën se si Shtetet e Bashkuara e shohin konfliktin, raporton ukinform.

Stubb vlerësoi se Rusia nuk ka arritur objektivat e saj strategjikë, ndërsa Ukraina ka ruajtur pavarësinë dhe sovranitetin e saj.

Lideri finlandez argumentoi se përparimi i kufizuar i forcave ruse gjatë viteve të luftës tregon se Moska nuk ka arritur një fitore vendimtare.

Stubb shtoi se momenti aktual krijon një mundësi më të favorshme për Ukrainën në çdo proces të ardhshëm negociues dhe theksoi se mbështetja ushtarake dhe politike e aleatëve duhet të vazhdojë për ta ruajtur këtë avantazh. /Telegrafi/