Prebreza: Për herë të parë, mamografia vjen në Fushë Kosovë
Kryetari i Komunës së Fushë Kosovës, Valon Prebreza, ka njoftuar se nga 1 gushti qytetarët do ta kenë për herë të parë në këtë komunë shërbimin e mamografisë, në kuadër të programit të skriningut për kancerin e gjirit.
Në një postim në Facebook, Prebreza ka bërë të ditur se mamografia do të ofrohet në Qendrën e Mjekësisë Familjare 2 (QMF 2).
“Për herë të parë, mamografia vjen në Fushë Kosovë. Nga 1 gushti, në Qendrën e Mjekësisë Familjare 2, qytetarët do të kenë në dispozicion shërbimin e mamografisë në kuadër të programit të skriningut për kancerin e gjirit”, ka shkruar Prebreza.
Ai ka theksuar se investimi kap vlerën prej 80 mijë euro dhe është pjesë e një projekti kombëtar për vendosjen e 16 mamografëve në Republikën e Kosovës, ndërsa Fushë Kosova, sipas tij, është komuna e parë që po e ofron këtë shërbim.
“Ky investim prej 80,000 euro është pjesë e projektit kombëtar për vendosjen e 16 mamografëve në Republikën e Kosovës, ndërsa Fushë Kosova është komuna e parë që po e ofron këtë shërbim”, ka shkruar ai.
Prebreza ka vlerësuar se ofrimi i mamografisë është hap i rëndësishëm drejt forcimit të shërbimeve shëndetësore dhe kujdesit për qytetarët, duke theksuar rëndësinë e zbulimit të hershëm.
“Zbulimi i hershëm shpëton jetë. Prandaj, ky është një hap i rëndësishëm drejt forcimit të shërbimeve shëndetësore dhe kujdesit për qytetarët tanë”, ka deklaruar Prebreza. /Telegrafi/


