Politikani serb pro-rus i Malit të Zi vazhdon me provokime edhe nga Parlamenti i Serbisë për Kosovën
Politikani serb pro-rus nga Mali i Zi, Vladislav Dajkoviq ka vazhduar me deklarata provokuese për Kosovën.
Ai në një fjalim në Parlamentin e Serbisë, ku ishte prezent edhe ambasadori rus, Aleksandar Bocan Kharchenko, ka deklaruar se "Kosova është zemra e Serbisë".
“Kosova është zemra e Serbisë dhe shpirti i Malit të Zi”, tha president i partisë “Mali i Zi i Lirë”, i cili pretendon edhe postin e kryetarit të kryeqytetit malazez, Podgoricës.
Kujtojmë se në vitin 2021, Dajkoviq kishte hyrë në Kosovë dhe ishte bashkuar me disa protestues serbë në bllokimet e rrugëve magjistrale që shpien në drejtim të vendkalimeve kufitare Jarinje dhe Bërnjak. Për këtë kishte shkruar edhe kryeministri Albin Kurti.
Ai njihet për botëkuptimet proserbe e proruse dhe ka marrë pjesë në të gjitha organizimet kundër orientimit perëndimor në Mal të Zi.
Politikani serb i Malit të Zi ka lidhje të ngushta me agjentin propagandues serb, Boris Malagurski, si dhe me propaganduesin francez prorus, Arnaud Gouillon.
Dajkoviq është edhe anëtar i Lëvizjes Imperialiste Ruse (me flamurin e së cilës shihet në foto), që është shpallur organizatë terroriste nga SHBA-të. /Telegrafi/


