Please enter at least 3 characters.

Policia: Shkeljet në trafik do të dënohen edhe pa ndalimin e automjetit

Policia e Kosovës ka nisur fushatën vetëdijësuese "Mirë se erdhët në Republikën e Kosovës!", me synim rritjen e sigurisë në trafikun rrugor gjatë sezonit veror, kur fluksi i automjeteve dhe i udhëtarëve është më i madh, si dhe për mirëpritjen e bashkatdhetarëve që vijnë në vend.

Sipas Policisë, në kuadër të fushatës do të shpërndahen broshura me këshilla dhe udhëzime praktike për pjesëmarrësit në trafik, të cilat duhet t’i kenë parasysh menjëherë pas hyrjes në Kosovë.

Policia rikujton se shkaktarët më të shpeshtë të aksidenteve mbeten tejkalimi i shpejtësisë, parakalimi në vende të ndaluara, pakujdesia, lodhja, përdorimi i telefonit gjatë vozitjes dhe drejtimi i automjetit nën ndikimin e alkoolit.

Përveç shtimit të prezencës së patrullave dhe pikave të kontrollit, Policia ka bërë të ditur se do të përdorë edhe automjete të pajisura me teknologji inteligjente, kamera, radarë mobilë dhe dronë për identifikimin e shkeljeve në trafik.

Sipas njoftimit, kundërvajtjet si tejkalimi i shpejtësisë, parakalimi i ndaluar, mosvendosja e rripit të sigurisë, përdorimi i telefonit gjatë drejtimit, qarkullimi me automjete të paregjistruara dhe shkelje të tjera do të mund të evidentohen edhe pa ndalimin fizik të drejtuesit të automjetit. Në këto raste, gjobat do t’i dërgohen me postë pronarit të mjetit.

Në fund, Policia u ka bërë thirrje të gjithë pjesëmarrësve në trafik që të respektojnë rregullat dhe të kontribuojnë që pushimet verore të kalojnë të sigurta.

"I lodhur? Pushoni! Më mirë vonë në destinacion, sesa kurrë", është mesazhi kryesor i kësaj fushate.