Policia në Gjakovë shqipton gjoba prej 1,100 euro për ndotje të rrugës
Njësia Rajonale e Trafikut Rrugor, që vepron në kuadër të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjakovë, po vazhdon me zbatimin e planeve operative për kontrollin e shtuar të trafikut dhe përmirësimin e sigurisë rrugore.
Sipas njoftimit zyrtar, më 18 tetor 2025, rreth orës 09:00, zyrtarët policorë gjatë patrullimit në rrugën “Wesley Clark” në Gjakovë kanë vërejtur baltë të hedhur në rrugë, e cila po krijonte vështirësi dhe rrezik për pjesëmarrësit në komunikacion, raporton Telegrafi.
Pas ndërmarrjes së veprimeve hetimore, është identifikuar kundërvajtësi, ndaj të cilit është shqiptuar gjobë prej 100 euro, sipas Ligjit nr. 08/L-186, neni 41.3.
Ndërkohë, ndaj personit juridik në emër të të cilit ishte regjistruar automjeti është shqiptuar gjobë prej 1000 euro, sipas nenit 41.2 të të njëjtit ligj.
Policia ka theksuar se nuk do të tolerojë veprime që rrezikojnë jetën dhe sigurinë në rrugë, duke paralajmëruar se kontrollet do të jenë të vazhdueshme në gjithë territorin e rajonit.
“Njësia Rajonale e Trafikut Rrugor në Gjakovë do të vazhdojë me aktivitete parandaluese për ngritjen e sigurisë dhe vetëdijesimit në trafikun rrugor”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/


