Policia e Maqedonisë ndalon gjashtë shoferë, vozisnin pa leje dhe nën ndikimin e alkoolit
MPB Maqedoni informon se gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë territorin e shtetit, nëpunësit policorë kanë privuar nga liria gjashtë shoferë për drejtim të pakujdesshëm të automjetit. Prej tyre, katër kanë drejtuar automjet pa patentë shoferi, ndërsa dy kanë drejtuar nën ndikimin e alkoolit.
"Në Manastir, dy persona kanë drejtuar pa patentë shoferi, ndërsa nga një rast është regjistruar në Shkup dhe në Gjevgjeli. Njëri nga shoferët në Manastir më herët kishte shkaktuar aksident rrugor, përkatësisht me automjetin të cilin e drejtonte është përplasur në një automjet të parkuar".
"Një shofer në Strugë dhe një në Strumicë kanë drejtuar automjet nën ndikimin e alkoolit. Shoferi në Strumicë gjithashtu ka shkaktuar aksident trafiku, me ç'rast ka dalë nga rruga me automjetin që e drejtonte. Pas dokumentimit të plotë të rasteve, do të ngrihen kallëzime përkatëse penale".
"U bëjmë apel të gjithë pjesëmarrësve në trafik që të respektojnë rregullat dhe rregulloret e komunikacionit, të mos drejtojnë automjet pa e dhënë provimin për patentë shoferi ose nëse kanë masë ndalimi për drejtim ose nëse janë nën ndikimin e alkoolit, dhe të kontribuojmë së bashku për një trafik më të sigurt", thonë nga MPB Maqedoni.


