Podujeva shënoi “Ditën e Mjaltit Llapjan”
Nën patronazhin e kryetarit të Komunës së Podujevës, Agim Veliu dhe në bashkëpunim me Shoqatën e Bletarëve “Llapi” sot në Podujevë është shënuar “Dita e Mjaltit Llapjan”.
Në manifestimin e organizuar në Sallën e Kuvendit të Komunës së Podujevës, përveç fermerëve-bletarë, ishte i pranishëm edhe kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, zëvendësministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Vezir Januzi, deputeti i Kuvendit të Kosovës, Agim Kikaj, kryetari i Shoqatës së Bletarëve Llapi, Raif Muçolli dhe mysafirë të tjerë.
Kryetari Agim Veliu, tha se ndjehet i lumtur që është në mesin e bletarëve të vyseshëm, duke potencuar se sektori i bletarisë në komunën e Podujevës çdo vit është duke shtuar numrin e shoqërive-familjeve të bletëve si dhe numrin fermerëve që po merren me bletari.
“Ne e kemi vlerësuar rolin e bletarisë në zhvillimin ekonomik dhe në krijimin e të ardhurave sidomos për pjesët rurale dhe i kemi dhënë prioritet në projektet tona duke subvencionuar dhe ndihmuar bletarët me pajisje teknike dhe shoqëri bletësh”, theksoi ai.
Kryetari Veliu, tha se gjatë tri viteve të fundit bletarët janë subvencionuar me 1525 shoqëri-familje bletësh. “Në vitin 2012 kemi ndarë 225 shoqëri bletësh, kurse vitin e kaluar kemi ndarë 300 shoqëri, sivjet bletarët i kemi subvencionuar me 1,000 shoqëri-familje bletësh. Kjo ka bërë që nga 2.100 familje bletësh që kishim në vitin 2012 në vitin 2015 të kemi 5740 familje bletësh”, tha kryetari Veliu.
“Ne edhe në të ardhmen kemi planifikuar fonde për përkrahje dhe mbështetje të bletarëve me shoqëri bletësh dhe mjete përcjellëse”, tha kryetari Veliu
Ndërkaq, zëvendësministri i Bujqësisë, Vezir Januzi, ka përgëzuar fermerët llpajanë të cilët me punën e tyre kanë bërë që të arrihen rezultate në sektorin e bujqësisë duke premtuar përkrahjen e vazhdueshme të Qeverisë së Kosovës.
“Bujqësia është prioritet i lartë i Qeverisë së Kosovës dhe faktor shumë i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të vendit dhe ngritjen e mirëqenies së qytetarëve. Prandaj ne po punojmë fuqishëm në hartimin e dhe zhvillimin e politikave adekuate dhe të favorshme për rritjen e mbështetjes financiare përmes granteve investive dhe pagesave direkte”, tha zëvendësministri Januzi.
Ai falënderoi kryetarin Veliu, dhe USAID-in për përkrahje, por në veçanti fermerët për punën e tyre dhe arritjet në sektorin e bletarisë.
Edhe kryetari i Shoqatës së Bletarëve “Llapi”, Raif Muçolli, falënderoi Komunën për përkrahjen dhe subvencionimin në sektorin e bletarisë.
Në shenjë falënderimi për përkrahjen që po i jep këtij sektori, Shoqata e Bletarëve “Llapi” e nderoi kryetarin e Komunës, Agim Veliu me një mirënjohje.
Krahas manifestimit të organizuar në Sallën e Kuvendit Komunal, bletarët llapjanë në “Ditën e Mjaltit Llapjan” në sheshin e qytetit në Podujevë organizuan edhe panairin me produktet e mjaltit. /Telegrafi/


