Please enter at least 3 characters.

Po fluturonte nga Serbia, pamje që tregojnë përplasjen si një ‘top zjarri’ dhe gjurmët që la aeroplani me municion pasi u rrëzua në Greqi

2022/07/page-51.jpg

Një aeroplan mallrash ukrainas i cili po fluturonte nga Serbia për në Jordani dhe që u rrëzua në Greqinë veriore të shtunën vonë po transportonte municion për në Bangladesh.

Sipas asaj që kanë raportuar mediat e huaja, e konfirmuar edhe nga autoritetet në Ukrainë, aeroplani Antonov An-12 kishte tetë anëtarë të ekuipazhit ukrainas, të gjithë të vdekur, përcjell Telegrafi.

Një zyrtar në firmën e ngarkesave Meridian i tha Reuters: "Sigurisht që ata nuk i mbijetuan kësaj".

Dhe kanë qenë dëshmitarët okularë që kanë filmuar përplasjen e “topit të zjarrit”, me shpërthimet që vazhduan për dy orë dhe rrënojat që digjeshin deri në mëngjes.

Ndërkohë janë publikuar edhe pamje nga vendi i ngjarjes që treguan “gjurmët”, si dhe mbeturinat, të shpërndara në fusha, përcjell Telegrafi.

Ministri i Mbrojtjes i Serbisë ka thënë gjatë ditës së diel se aeroplani mbante 11.5 ton produkte të prodhuara nga industria e saj e mbrojtjes dhe blerësi ishte ministria e mbrojtjes e Bangladeshit.

Nebojsha Stefanoviç shtoi se ngarkesa e aeroplanit ishte në pronësi të kompanisë serbe Valir, një kompani tregtare e regjistruar për të kryer aktivitete të tregtisë së jashtme të pajisjeve ushtarake të armatimit dhe produkteve të tjera të mbrojtjes.

Televizioni shtetëror ERT tha se sinjali i aeroplanit humbi menjëherë pasi piloti kërkoi ulje emergjente nga autoritetet greke të aviacionit për shkak të një problemi me motorin. /Telegrafi/