Please enter at least 3 characters.

Plagjiatura e një spoti të shtrenjtë

Janë 5,7 milionë euro të taksapaguesve të Kosovës, që i janë dhënë kompanisë “Saatchi & Saatchi” për reklamimin e shtetit të ri në mediat botërore, por spoti del të jetë plagjiaturë.

Spoti televiziv “Kosova, evropianët e rinj” ka përmbajtje dhe ide të njëjta me spotin që është emetuar që në shtatorin e vitit 2007 nga kompania franceze “Orange”, por dallon vetëm mesazhi. Të gjithë mosbesuesit mund ta verifikojnë vetë këtë në Youtube “Orange - Allons plus loin ensemble”.

Si në njërin, ashtu edhe në spotin tjetër, përqendrimi është në punën që bëhet me bojë, të cilën e kryejnë të rinjtë, ndërsa në tjetrin puna është më gjithëpërfshirëse, fëmijë, të rinj e pleq. Mbledhja e dërrasave të lyera në të dyja rastet bëhet në rrugë tokësore dhe ujore. Entuziazmi dhe habia për punën e madhe shihet në të dyja rastet. Copat e lyera me bojë në të dyja spotet ngrihen drejt qiellit, shfaqet globi dhe vetëm këtu dallimi është i vogël: njëri spot e fikson hartën e Kosovës, tjetri e dërgon mesazhin lart drejt anijes kozmike se “bashkërisht shkohet më larg”.

Këtu është bërë jo vetëm një hile për taksapaguesit e Kosovës, por janë edhe disa huqe të tjera, të cilat janë vënë në dukje edhe më parë. Megjithatë, është edhe një tallje me qytetarët, të cilët e kanë paguar një spot plagjiat të emetuar dy vjet më parë.

Huqi më i madh është se kujt i dedikohet ky spot dhe çfarë kërkohet të arrihet nëpërmjet tij? Është thënë se fushata ka të bëjë me rritjen e imazhit pozitiv të Kosovës në botë dhe tërheqjen e investimeve të huaja, në kohën kur Kosova është njohur vetëm nga një e treta e vendeve të botës, ndërkaq interesi madhor i vendit është rritja e njohjeve.

Nga spoti plagjiaturë nuk nënkuptohet dhe nuk jepet asnjë mesazh për joshjen e bizneseve të huaja për të ardhur në Kosovë, por është vetëm një përpjekje entuziaste e rinisë për ta ndërtuar shtetin e ri. Dhe, ky mesazh i dedikohet Evropës dhe SHBA-ve, por të cilat vende nuk kanë nevojë për spote të tilla informuese-ndikuese, aq më shumë që këto janë vendet më mike të Kosovës dhe ato tashmë e kanë njohur shtetin e pavarur dhe sovran.

Fundja, vendet evropiane e amerikano-veriore mesazhin për Kosovën e marrin nga raportet e Komisionit Evropian dhe Departamentit Amerikan të Shtetit, të cilat raporte nuk janë shumë pozitive për shkak të mosangazhimit serioz të institucioneve të vendit, duke mos thënë se një mesazh për dëshpërimin social të rinisë në Kosovë vjen edhe nga përpjekjet e të rinjve për të ikur nga vendi dhe rrugët tragjike që i kanë përpara, si në rastin e lumit Tisa.

Kosova aktualisht e ka interes madhor zhbllokimin e njohjeve dhe spoti milionësh nuk e ka mënyrën e duhur, rrugën e përzgjedhur dhe mjetin e qëlluar, e as që u dedikohet vendeve afrikane, latino-amerikane apo aziatike, prej të cilave ende nuk është akorduar njohja.

Vendet përreth Kosovës janë reklamuar në CNN dhe televizione të tjera me shtrirje globale me spote origjinale për gjashtë muaj për disa qindra-mijëra euro, e jo miliona. Prandaj, qytetarët e varfër të Kosovës e kanë paguar shumë shtrenjtë spotin plagjiat dhe me objektiv të huqur.