Pirlo befason në garën për Italinë, Maldini e sheh si favorit për stolin e “Azzurrëve”
Andrea Pirlo është shfaqur si kandidati kryesor për të marrë drejtimin e Kombëtares së Italisë, pas emërimit të Paolo Maldinit në rolin e drejtorit teknik të Federatës Italiane të Futbollit (FIGC).
Sipas La Gazzetta dello Sport, Maldini, i ndihmuar nga Leonardo, ka nisur procesin e përzgjedhjes së trajnerit të ri të “Azzurrëve” përpara fillimit të Ligës së Kombeve në shtator.
Fillimisht, favoritë për këtë post konsideroheshin Antonio Conte dhe Roberto Mancini, ndërsa në media u përfol edhe emri i Pep Guardiolës. Megjithatë, raportimet e fundit bëjnë të ditur se Pirlo ka kaluar në krye të listës së kandidatëve.
47-vjeçari është një nga legjendat e futbollit italian, pjesë e ekipit që fitoi Kupën e Botës në vitin 2006. Ai gëzon gjithashtu një raport të shkëlqyer me Maldinin dhe Leonardon, me të cilët ndau vite të suksesshme te Milani.
Aktualisht, Pirlo është trajner i United FC në Dubai. Më herët ai ka drejtuar Juventusin, me të cilin fitoi Kupën e Italisë në sezonin 2020/21, si dhe ka qenë trajner i Fatih Karagümrük në Turqi dhe Sampdorias.
Sipas raportit, Maldini kishte menduar ta emëronte Pirlon edhe në stolin e Milanit gjatë vitit 2023, ndërsa tani mund t'i besojë drejtimin e Kombëtares italiane.
Një tjetër faktor që favorizon Pirlon është edhe ana financiare. Paga që ai kërkon është dukshëm më e ulët se ajo e kandidatëve të tjerë, gjë që e bën një alternativë shumë tërheqëse për FIGC-në. /Telegrafi/


