Pikë-kalim i përbashkët kufitar Hani i Elezit - Bllacë, Kurti: Është më shumë se infrastrukturë
Në prani të kryeministrit Albin Kurti, Kryeministrit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickovski, dhe anëtarë të dy kabineteve të dy qeverive respektive, u përurua sot pikëkalimi i përbashkët kufitar "Hani i Elezit - Bllacë".
Ky pikëkalim i përbashkët "Hani i Elezit - Bllacë" është i bazuar në modelin “hyrje-hyrje”, sipas se cilit qytetarët kontrollohen vetëm në hyrje të shtetit pritës, ndërsa të dhënat do të shkëmbehen në kohë reale përmes një sistemi të përbashkët teknologjik.
Ky model optimizon resurset dhe rritë kapacitetet për t’u përballur me fluksin në rritje të qytetarëve.
Vetëm gjatë vitit 2024, mbi pesë milionë qytetarë kaluan në tri pikat kufitare mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut. Kjo shifër dëshmon nevojën për lëvizje të lirë e të shpejtë, si të qytetarëve ashtu edhe të mallrave.
Kryeministri në detyrë Kurti e cilësoi këtë projekt si shembull të përparimit konkret e praktik dhe shenjë të rritjes së mirëbesimit ndërmjet dy shteteve.
“Krijimi i pikave të përbashkëta në vendkalimet kufitare Hani i Elezit/Bllacë dhe Glloboqicë/Jazhincë janë më shumë sesa infrastrukturë kufitare. Janë pika të reja bashkëpunimi dhe shërbimi që lidhin edhe më shumë dy shtetet tona dhe forcojnë edhe më tej fqinjësisë tonë të mirë”, vlerësoi Kurti.
Kësisoj me modelin e ri, siç tha kryeministri, policët kufitarë të dy shteteve të sistematizuar vetëm në hyrje, do të punojnë krah për krah në të njëjtat hapësira, duke optimizuar resurset dhe rritur kapacitetet për përballimin e fluksit në rritje të qytetarëve.
Në fjalën e tij, Kurti theksoi se kjo arritje është rezultat i një bashkëpunimi të ngushtë institucional i shprehur përmes mbledhjeve të përbashkëta të dy qeverive, dhe njëkohësisht kërkesë e kahershme e qytetarëve nga të dy anët e kufirit. Me realizimin e saj, pritja do të reduktohet dhe do t’i kontribuoj rritjes ekonomike të vendeve tona, shkëmbimit tregtar, forcimit të sigurisë dhe lidhjes mes qytetarëve tanë.
Në fund, ai shprehu mirënjohje për kryeministrin Mickovski, zëvendëskryeministrin Mexhiti, ministrin Toshkovski dhe ekipet teknike të Maqedonisë së Veriut, si dhe ministrin Sveçla, Ambasadorin e Republikës së Kosovës në Maqedoni të Veriut Florian Qehaja dhe Kolonelin e Policisë së Kosovës, Bunjaku, të cilët kontribuan në jetësimin e kësaj marrëveshjeje.
Po ashtu, uroi që kjo nismë të shoqërohet me përfundimin sa më të shpejtë të dy projekteve tjera jetike, të autostradës Bllacë–Shkup dhe të tunelit Tetovë–Prizren, të cilat do të forcojnë më tej ndërlidhjen mes qytetarëve e bizneseve, dhe do të rrisin mobilitetin, bashkëpunimin dhe zhvillimin ndër-shtetëror.
Ndërkaq, ministri i Punëve të Brendshme i Republikës së Kosovës, Xhelal Sveçla, shprehu se kurorëzimi i projektit të sotëm është pasqyrim i aspiratave tona të përbashkëta për kufinj të hapur, por të sigurt. Ai theksoi se Ministritë e Brendshme të dy shteteve gëzojnë bashkëpunim të shkëlqyer në fushën e sigurisë, e veçanërisht të policisë.


