Pezullohet deri më 25 maj greva e punëtorëve teknikë në shkollat e Prishtinës
Federata Sindikale e Punëtorëve Teknikë të Sektorit Privat të Kosovës (FSPTSPK) ka njoftuar se greva e punëtorëve teknikë në shkollat e Komunës së Prishtinës është pezulluar përkohësisht, pas realizimit të kërkesës për ekzekutimin e pagave të muajit prill.
Sipas njoftimit, sot në zyrat e FSPTSPK-së është mbajtur takim me përfaqësuesit e punëtorëve teknikë, ku është vendosur që greva të pezullohet deri më 25 maj 2026, me qëllim që institucioneve përgjegjëse dhe kompanive t’u jepet kohë për realizimin e kërkesës tjetër – lidhjen e kontratave të punës për të gjithë punëtorët teknikë.
“Në këtë takim u vendos që greva të pezullohet deri më datë 25.05.2026, me qëllim që institucioneve përgjegjëse dhe kompanive t’u jepet kohë për realizimin e kërkesës tjetër të punëtorëve, respektivisht lidhjen e kontratave të punës për të gjithë punëtorët teknikë”, thuhet në njoftim.
Federata ka paralajmëruar se, nëse deri në këtë afat nuk realizohen kërkesat e punëtorëve, organet sindikale do të vendosin për vazhdimin e veprimeve sindikale, përfshirë edhe rikthimin e grevës.
“Në rast se deri në këtë datë nuk realizohen kërkesat e punëtorëve, organet sindikale do të vendosin për vazhdimin e veprimeve sindikale, përfshirë edhe rikthimin e grevës”, thuhet më tej. /Telegrafi/


