Please enter at least 3 characters.

Përleshje fizike mes dy mësimdhënësve në gjimnazin “Shaban Hashani” në Ferizaj

Dy mësimdhënës të gjimnazit “Shaban Hashani” në Ferizaj janë përfshirë në një përleshje fizike të enjten, më 29 janar 2026, gjatë pushimit të gjatë, në prani të nxënësve.

Lidhur me rastin, për Telegrafin ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë Rajonale të Ferizajt, Kanun Veseli, i cili ka bërë të ditur se policia ka shkuar në vend të ngjarjes.

“Më datë 29.01.2026, rreth orës 11:15, Policia e Kosovës ka pranuar një informacion se në një shkollë të mesme në Ferizaj dy mësimdhënës janë përfshirë në një përleshje fizike”, ka deklaruar Veseli.

Ai ka sqaruar se incidenti ka ndodhur më herët gjatë ditës, në ambientet e shkollës.

“Ngjarja ka ndodhur rreth orës 09:25, në korridorin pranë sallës së mësimdhënësve, ku janë përfshirë dy profesorë. Situata është qetësuar menjëherë nga drejtoria e shkollës”, ka shtuar Veseli.

Të dyja palët janë paraqitur në stacion policor dhe janë intervistuar nga Njësia e Hetimeve. Me urdhër të prokurorit, rasti është përpiluar "shënim zyrtar". /Telegrafi/