Për dy ditë Kanye West shiti 100,000 bileta për shfaqjen në Shën Petersburg, një ligjvënës rus dëshiron që koncertet të anulohen nëse nuk deklaron 'mbështetje morale' për luftën kundër Ukrainës
Më 10 dhe 11 tetor, reperi amerikan Ye, i njohur më parë si Kanye West, do të performojë në “Gazprom Arena” në Shën Petersburg të Rusisë. Organizatorët bëjnë të ditur se vetëm gjatë dy ditëve të para janë shitur më shumë se 100 mijë bileta.
Interesi për koncertet duket se nuk po zbehet. Vizita e reperit në Rusi është kthyer në temë diskutimi jo vetëm për fansat e muzikës, por edhe për deputetët e Dumës Shtetërore, figura publike dhe përdoruesit e rrjeteve sociale.
Nga Shën Petersburgu te chanson-i rus
Në fillim të kësaj jave, deputeti i Dumës Shtetërore, Vitaly Milonov, sugjeroi që Ye të përfshijë në repertorin e tij edhe chanson-in rus – një zhanër i njohur për baladat sentimentale dhe tekstet e lidhura shpesh me folklorin e burgjeve.
Milonov tha se reperi mund të interpretojë këngë të Mikhail Krug ose të këndojë një duet me Mikhail Shufutinsky gjatë qëndrimit në Shën Petersburg.
Sipas deputetit, një bashkëpunim i tillë do ta ndihmonte Ye-në të bëhej një “person normal”.
Por historia mori një tjetër kthesë më 18 gusht, kur në rrjetet sociale nisën të qarkullonin pretendime se reperi kishte kërkuar të performonte së bashku me Shaman, këngëtarin rus që ka shprehur publikisht mbështetje për luftën e Rusisë në Ukrainë.
Sipas këtyre raportimeve, organizatorët e koncertit kishin kontaktuar menaxherin e Shaman për një bashkëpunim. Një pamje e ekranit nga komunikimi mes tyre sugjeronte se këngëtari e kishte refuzuar ofertën. Organizatorët, megjithatë, mohuan se kishte pasur ndonjë negociatë të tillë.
Në rrjetet sociale, disa përdorues menduan se një duet mes dy artistëve do të mund të bëhej hit, duke vënë në dukje edhe ngjashmëritë kontroverse mes tyre. Ye ka shprehur publikisht në të kaluarën admirim për Adolf Hitlerin dhe nazistët, ndërsa Shaman është një prej figurave më të njohura të skenës muzikore ruse që mbështet luftën.
Kush tjetër dëshiron të performojë me Ye?
Edhe Sergei Shnurov, frontmeni i grupit “Leningrad”, ka shfaqur interes për një performancë të përbashkët me Ye. Deri tani, megjithatë, ai nuk ka marrë ndonjë ftesë.
Ndërkohë, në rrjetet sociale po qarkullojnë edhe ide të tjera për bashkëpunime të pazakonta.
Fushata promovuese për filmin The Last Warrior. Kolobok ka qenë e vështirë të mos vihet re në Rusi, ndaj disa përdorues kanë sugjeruar që Ye të përfshihet në promovimin e filmit për t’i dhënë një shtysë performancës së tij në kinema.
Të tjerë kanë shkuar edhe më tej, duke sugjeruar që e gjithë skena e koncertit të përshtatet me elemente të kulturës lokale.
Autoritetet ruse, megjithatë, duket se kanë planet e tyre për hapësirën ku do të mbahet koncerti.
Në çdo rast, një prej prioriteteve kryesore duket se është shmangia e një tjetër vale të ndërprerjeve të internetit. Dhe, me sa duket, Ye do të ishte më mirë të mos aktivizonte as VPN-në gjatë koncertit, për çdo rast.
Deputetët rusë ndahen për vizitën e Kanye Westit
Deputetët e Dumës Shtetërore ende nuk kanë një qëndrim të unifikuar për vizitën e artistit kontrovers.
Yelena Drapeko, nga partia “Rusia e Drejtë”, beson se koncertet duhet të zhvillohen dhe madje e ka falënderuar publikisht reperin që pranoi të udhëtonte në Rusi “mes histerisë antiruse”.
Ndërsa Svetlana Zhurova, nga partia “Rusia e Bashkuar”, ka hedhur një ide edhe më të pazakontë: një takim mes Ye dhe presidentit rus, Vladimir Putin.
Megjithatë, sipas saj, para një takimi të tillë reperi fillimisht do të duhej t’i nënshtrohej një testi për COVID-19.
Anna Subcheva, drejtuese e kompanisë Say Agency, e cila organizon eventin, tha se takimi me Putinin ka qenë prej kohësh një ëndërr e Ye.
Sipas saj, reperi ka shprehur prej disa vitesh admirim për presidentin rus. Se çfarë dëshiron realisht Ye, mbetet për t’u parë, por në një rast ai e ka përshkruar veten si një “Putin i ri”.
Kusht për mbështetjen e luftës
Jo të gjithë në Rusi janë të kënaqur me ardhjen e reperit.
Deputeti Nikolai Novichkov kishte deklaruar më herët se do të kërkonte anulimin e koncerteve nëse Ye nuk do të shprehte “mbështetje morale” për atë që autoritetet ruse e quajnë “operacion special ushtarak” – termi që Kremlini përdor për pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës.
Ndërkohë, Ildar Rezyapov, kreu i lëvizjes “Veteranët e Rusisë”, ka kërkuar që një pjesë e të ardhurave nga koncertet t’u dhurohet trupave ruse.
Edhe Yekaterina Mizulina, drejtuesja e “Safe Internet League”, si dhe disa priftërinj ortodoksë, kanë shprehur kundërshtimin e tyre ndaj vizitës së reperit në Rusi.
Në rrjetet sociale, ndërkohë, përdoruesit po tallen me situatën, duke sugjeruar se vetë autoritetet ruse mund të mos e kenë kuptuar plotësisht se kë kanë ftuar në vend.
Dhe, krahas memeve, po qarkullojnë edhe disa mënyra tejet të pazakonta për atë që përdoruesit e quajnë “mbështetje për luftën”.
Në një atmosferë ku një koncert i një reperi amerikan është shndërruar në debat politik, diplomatik dhe kulturor, ardhja e Ye në Shën Petersburg premton të jetë shumë më tepër se një ngjarje muzikore. /Telegrafi/


