Please enter at least 3 characters.

Peja hap ambulantën për trajtimin dhe kastrimin e qenve endacakë

Në Komunën e Pejës është bërë hapja zyrtare e Ambulantës për Trajtimin dhe Kastrimin e Qenve Endacakë, e vendosur në fshatin Sverkë, në afërsi të deponisë së mbeturinave.

Në ceremoninë e hapjes morën pjesë kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, si dhe zëvendëskomandanti i Stacionit Policor në Pejë, Dervish Haxhiaj, të cilët edhe bënë prerjen simbolike të shiritit.

Sipas Komunës, funksionalizimi i kësaj ambulance synon përmirësimin e mirëqenies së kafshëve përmes ofrimit të shërbimeve veterinare profesionale, me theks të veçantë në kastrimin e qenve endacakë dhe menaxhimin e tyre në mënyrë humane dhe të qëndrueshme.

Nga Komuna e Pejës është bërë e ditur se ky projekt përbën një hap konkret drejt adresimit afatgjatë të çështjes së qenve endacakë, duke ndikuar njëkohësisht në rritjen e sigurisë publike dhe mbrojtjen e mjedisit.

Autoritetet komunale kanë theksuar se do të vazhdojnë angazhimin për politika dhe veprime që garantojnë mbrojtjen e kafshëve dhe mirëqenien e qytetarëve. /Telegrafi/