Please enter at least 3 characters.

PE votoi Raportin për RMV-në: Protokolli i Dytë dhe Komisioni për Histori mbeten pjesë e saj, nevojitet edhe zbatimi i reformave

parlamenti evropian
2021/12/parlamenti-evropian.jpg
3:"dpa

Në Raportin e miratuar me 411 vota "pro", 120 kundër dhe 120 abstenime, Parlamenti Evropian nënvizon mbështetjen e tij të plotë për angazhimin e Maqedonisë së Veriut për anëtarësim në BE, duke theksuar se përparimi në negociatat e pranimit mbetet i varur nga reformat e qëndrueshme dhe të thella, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Eurodeputetët shprehin keqardhje për mungesën e përparimit që nga Raporti i vitit 2025, veçanërisht në fushat e sundimit të ligjit, reformës gjyqësore dhe luftës kundër korrupsionit, dhe theksojnë se angazhimi i ripërtërirë politik dhe bashkëpunimi ndërpartiak janë urgjentisht të nevojshëm, jo vetëm për të miratuar ndryshimet e nevojshme kushtetuese që do të lejonin hapjen e raundit të parë tematik të negociatave.

Eurodeputeti austriak i të Gjelbërve, Thomas Waitz, propozoi refuzimin e tekstit në raport që "i bën thirrje urgjentisht Komisionit të Përbashkët Shumëdisiplinor të Ekspertëve për Çështjet Historike dhe Arsimore të Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut, të krijuar si rezultat i Marrëveshjes së Miqësisë dhe Fqinjësisë së Mirë me Bullgarinë, të arrijë rezultate të qarta dhe të prekshme".

Paragrafi 73 i bën thirrje Komisionit për Histori të arrijë “rezultate të qarta dhe të prekshme” duke e bazuar punën e tij në “burime dhe dokumente historike objektive, autentike dhe të provuara” në përputhje me Protokollin e Dytë të Marrëveshjes së Fqinjësisë së Mirë midis Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut. Teksti përfshin gjithashtu konceptin e “historisë së përbashkët”. Mirëpo kjo u refuzua. 338 eurodeputetë votuan kundër hedhjes poshtë të tekstit, ndërsa vetëm 126 mbështetën fshirjen e tij.

Raporti vëren gjithashtu mungesën e përparimit në reforma, problemet me sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit. Raporti paralajmëron gjithashtu për ndikimin në rritje të Serbisë dhe Rusisë.

Paragrafi 71 dënon të gjitha përpjekjet për të zëvendësuar monumentet dhe objektet historike, përfshirë shkatërrimin e trashëgimisë kulturore autentike. Raporti gjithashtu thekson nevojën për të hapur arkivat e shërbimeve sekrete jugosllave UDBA dhe KOS, "të cilat mbahen në Maqedoninë e Veriut dhe Serbi".

Raporti mirëpret stabilitetin e marrëdhënieve ndëretnike dhe zbatimin e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, si dhe progresin në përgatitjen e udhërrëfyesve për administratën publike dhe sundimin e ligjit, si pjesë e hapjes së grupit "Vlerat Themelore" të kornizës negociuese. Progresi i moderuar në reformën e administratës publike dhe transformimin dixhital, përfshirë legjislacionin për identifikimin elektronik, është gjithashtu i vlerësuar pozitivisht./Telegrafi/