Pavarësisht kritikave, miratohet Rregullorja për menaxhimin e varrezave të reja në Landovicë të Prizrenit
Rregullorja për varrimin dhe mirëmbajtjen e varrezave të reja të Prizrenit në Landovicë është miratuar me shumicë votash nga anëtarët e Kuvendit të Komunës.
Diskutimet dhe mos pajtimet lidhur me përmbajtjen e këtij akti komunal kanë vijuar edhe në vazhdimin e seancës së rregullt. Por në fund, me shumicë të thjeshtë të anëtarëve të pranishëm është aprovuar rregullorja në fjalë.
Karanfil Haxhillari nga LVV ka theksuar se vërejtjet e kritikat e shprehura në seancën e javës së shkuar nuk janë përfshirë në Rregullore.
“Substancialisht kjo rregullore mbetet e njëjta me atë që e patëm kundërshtuar javën e shkuar. Nuk jemi kundër hapësirës së re të varrezave, për shkak të kushteve që janë krijuar në varrezat aktuale të qytetit. Ne jemi kundër formës së menaxhimit të varrezave të reja”, ka thënë Haxhillari.
Nënkryetari Kujtim Gashi ka pohuar se vërejtjet janë marrë parasysh, dhe ka shtuar se kuvendari Haxhillari ose nuk e ka kuptuar këtë ose po kundërshton me qëllim.
“Mbulimin e shpenzimeve e ka përsipër Komuna e Prizrenit, ashtu siç ka qenë deri më sot”, ka thënë Gashi, duke pohuar se praktikat e deritanishme do të vijojnë ndonëse me vendimmarrje pasuese.
Haziz Hodaj i LDK-së ka theksuar se ka ende shumë dilema dhe nuk është e qartë se çka po votohet.
Por nënkryetari Gashi ka theksuar se subvencionimi bëhet me praktikën e deritanishme dhe se për këtë nevojiten vendimet pasuese. Në të njëjtën kohë ka dhënë sqarime për menaxhimin dhe mirëmbajtjen e varrezave të reja nga operatori ekonomik.
“Për sa kohë që vonohet votimi i Rregullores, vonohet edhe funksionalizimi i varrezave të reja”, është shprehur Gashi.
Hodaj i LDK-së ka shtuar se ky subjekt nuk do ta bllokojë miratimin e Rregullores, duke e ditur se e njëjta mund të ndryshohet me kalimin e kohës.
Pas diskutimeve nga 23 anëtarët e pranishëm në seancë, 16 sosh kanë votuar për, 2 kundër dhe 1 anëtar ka abstenuar. /Telegrafi/


