Please enter at least 3 characters.

Sulmi në Banjskë, burgim i përjetshëm ndaj Spasojeviqit dhe Tolliqit, 30 vite për Maksimoviqin

E plotësuar....

Gjykata Themelore e Prishtinës ka shpallur fajtor të akuzuarit në rastin e Banjskës, Vlladimir Tolliq, Bllagoje Spasojeviq dhe Dushan Maksimoviq.

“Në emer të popullit Vlladimir Tolliq, Bllagoje Spasojeviq dhe Dushan Maksimoviq janë fajtor. Burgim i përjetshëm për Vlladimir Tolliq, Bllagoje Spasojeviq dhe për Dushan Maksimoviq me 30 vite burgim”.


Dy të akuzuarit, Spasojeviq dhe Toliq nuk janë prezent në gjykatore, ndërsa Dushan Maksimoviq ishte prezent në momentin kur u shpall vendimi ndaj tyre.

Kryetari i trupit gjykues, Ngadhnjim Arrni shpalli dënimin për tre të akuzuarit.

E plotësuar...

Pas pak vendimi për rastin e Banjskës, masa të shtuara të sigurisë në Pallatin e Drejtësisë

Gjykata Themelore e Prishtinës sot pritet të shpallë aktgjykimin ndaj tre të akuzuarve lidhur me sulmin e armatosur ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit, në shtator të vitit 2023.

Seanca për shpalljen e aktgjykimit është caktuar të fillojë në orën 15:00.

Ekipi i Telegrafit do të raportojë në kohë reale për vendimet e kësaj gjykate.



Ndërkaq, siç po raportohet njësi të shtuara policore janë vendosur sot në Pallati i Drejtësisë dhe kontrollet e sigurisë janë të rrepta si brenda, ashtu edhe jashtë objektit.

Masa të larta sigurie janë vendosur edhe para sallës ku pritet të mbahet seanca gjyqësore.

Policia ka shtuar praninë policore për të garantuar rendin dhe sigurinë gjatë këtij procesi të ndjeshëm, ndërsa pritet një interesim i madh i publikut dhe mediave për shpalljen e vendimit.

Ndërkaq, në seancën ku u thanë fjalët përfundimtare, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) ka kërkuar dënim me burgim të përjetshëm për të akuzuarit Vlladimir Tolliq, Bllagoje Spasojeviq dhe Dushan Maksimoviq.

Të tre të akuzuarit kanë mohuar fajësinë për veprat që u vihen në barrë.

Ndryshe, Prokuroria Speciale, më 11 shtator 2024 ka ngritur aktakuzë kundër Milan Radoiçiqit dhe 44 të tjerëve, për sulmin terrorist të 24 shtatorit 2023 në Banjskë të Zveçanit.

Aktakuza e Prokurorisë Speciale të Kosovës për sulmin e armatosur në Banjkë i ngarkon shumicën e tyre me terrorizëm dhe krime të rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës.

Radoiçiq akuzohet, gjithashtu, për lehtësimin dhe financimin e kryerjes së terrorizmit dhe pastrimit të parave, ndërsa i gjithë grupi akuzohet se me përdorim të dhunës dhe armëve të rënda, ka tentuar të ndajë pjesën veriore të Kosovës – ku gjenden komunat me shumicë serbe – dhe ta bashkojë atë me Serbinë.

Aktakuza e përshkruan Radoiçiqin si “udhëheqës të grupit terrorist”.

Në aktakuzë thuhet se më 24 shtator të vitit 2023, pasi bllokoi rrugën për në urën e fshatit me dy kamionë, ai dhe pjesëmarrësit e tjerë u fshehën dhe sulmuan oficerët e Policisë së Kosovës që shkuan për t’i larguar kamionët dhe për të liruar rrugën.

Në sulm mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku, ndërsa u plagosën policët: Alban Rashiti, Çlirim Shaqiri, Mirsad Kryeziu dhe Sedat Dushi.

Sipas aktakuzës, sulmi zgjati deri në orën 15:00, “kur shumica dërrmuese e grupit iku përmes rrugëve malore drejt Republikës së Serbisë”.

Në aktakuzë thuhet se ata ishin “trajnuar profesionalisht” dhe se kishin hyrë në Kosovë në mënyrë të paligjshme nga Serbia, përmes rrugëve malore, me dhjetëra makina, disa prej të cilave të blinduara dhe të ngarkuara me armë të rënda, municione, raketahedhës, eksplozivë, uniforma ushtarake kamufluese dhe pajisje të tjera ushtarake logjistike. /Telegrafi/