Pas humbjes në Obiliq, Xhafer Gashi dorëhiqet nga të gjitha funksionet në LDK
Kryetari i degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në Obiliq, Xhafer Gashi, ka njoftuar se ka dhënë dorëheqje nga të gjitha funksionet partiake pas rezultatit të balotazhit në këtë komunë.
Në një reagim publik, Gashi ka thënë se pavarësisht përpjekjeve të bëra gjatë fushatës, rezultati përfundimtar nuk ishte ai që pritej.
“Rezultati është i qartë, ata janë përpara. Urojmë që t’i grahin me sukses punës. Për 12 vite kemi bërë shumë punë bashkë,” ka thënë ai.
Ai ka falënderuar gjithë bashkëpunëtorët dhe simpatizantët e LDK-së për angazhimin, duke theksuar se ndjen përgjegjësi për rezultatin.
“Falënderoj secilin prej jush. Meqenëse jemi munduar të organizohemi por ndoshta nuk ia kemi dalë, atëherë unë si kryetar i degës së LDK-së në Obiliq marr përgjegjësinë për humbjen dhe jap dorëheqje nga Këshilli i Përgjithshëm, nga kryesia dhe nga posti i kryetarit të degës", tha Gashi.
Në fund, Gashi theksoi se pavarësisht rezultatit zgjedhor, LDK-ja mbetet e fuqishme.
“LDK nuk ka qenë kurrë më e fortë se sot,” ka përfunduar ai./Telegrafi/


