Please enter at least 3 characters.

Pas Abdixhikut, ambasadori Abbott takon edhe Krasniqin - flasin për zhvillimet në veri

2023/06/347244305_585320103583846_5742156762928958289_n.jpg

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka pritur në takim këtë të mërkurë ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Prishtinë, Nicholas Abbott, me të cilin ka diskutuar për zhvillimet e fundit në vend.

Në këtë takim, Krasniqi ka thënë se ka shprehur qëndrimin e PDK-së në lidhje me situatën aktuale, e cila, “fatkeqësisht është serioze dhe shqetësuese”.

“Ambasadorin Abbott e sigurova se populli i Kosovës vazhdon të mbetet i orientuar drejt dhe bindshëm në rrugën euro-atlantike dhe çmon raportet e mira me aleatët tanë ndërkombëtarë”, ka shkruar i pari i PDK-së në Facebook.

Tutje, Krasniqi ka deklaruar se ambasadorit Abbott ia ka rikonfirmuar qëndrimin e PDK-së që “interesat e shtetit dhe popullit tonë do t’i vë gjithmonë para interesave partiake”.

Abbott gjatë ditës ka takuar edhe kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, me të cilin ka biseduar për zhvillimet politike në vend, me theks të veçantë gjendjen e tensionuar në veri.

Sipas njoftimit të LDK-së, Abdixhiku e ka njoftuar ambasadorin Abbott për qëndrimin e partisë për tensionet në veri si dhe nevojën që në momente të tensioneve e provokimeve nga Serbia, ecja e përbashkët me aleatët për të përballuar një krizë është domosdoshmëri./Telegrafi/