Please enter at least 3 characters.

Pas 34 vitesh, gjenden mbetjet e dy alpinistëve të zhdukur në akullnajën e Zvicrës

Një paqartësi gati 30-vjeçare në Alpet zvicerane më në fund ka marrë përgjigje. Në akullnajën Trift (Triftgletscher), mbi zonën e Saas-Grund në kantonin e Wallisit, janë gjetur mbetjet mortore të dy alpinistëve të cilët rezultonin të zhdukur që nga viti 1992.

Gjetja u bë e mundur nga një alpinist i zonës, i cili gjatë një ngjitjeje në akullnajë vuri re mbetjet dhe pajisjet e mbetura.

Pas njoftimit të menjëhershëm, policia lokale organizoi një aksion kërkim-shpëtimi në bashkëpunim me shërbimin ajror Air Zermatt, duke bërë të mundur tërheqjen e mbetjeve dhe dërgimin e tyre për ekzaminim mjeko-ligjor.

Analizat e ADN-së të kryera nga Instituti i Mjekësisë Ligjore konfirmuan zyrtarisht identifikimin e dy viktimave.

Bëhet fjalë për dy shtetas zviceranë, përkatësisht të ditëlindjes 1954 dhe 1957, të cilët kishin humbur çdo kontakt me familjarët dhe autoritetet gjatë një ekspedite në gusht të vitit 1992.

Tërheqja e akullnajave si pasojë e ngrohjes globale po nxjerr gjithnjë e më shpesh në sipërfaqe trupa dhe sende personale të personave të zhdukur dekada më parë në male.

Policia e kantonit Wallis mban një regjistër zyrtar me qindra raste të personave të zhdukur në Alpe që nga shekulli i kaluar, shumë prej të cilëve po zbardhen vetëm vitet e fundit me shkrirjen e akullit. /Telegrafi/