Partitë politike qeveritare në UT kanë edhe xhandarin dhe agjentin e vet
Xhandari dhe agjenti i partisë në Universitetin e Tetovës janë turpi i partisë dhe frika, tmerri, mafia dhe tragjedia e universitetit. Ata janë zëdhënësit e së keqes në universitet dhe figurat e trishtimit aty, të cilët më shumë veprojnë sesa flasin për të mirën e partisë, jo të universitetit.
Ata kanë edhe ndonjë shkollë, duke filluar nga e mesmja e deri te titulli i doktorit të shkencës, madje marrin edhe vende pune shumë të rëndësishme në universitet nga partia e tyre, e cila i do shumë dhe i vlerëson tepër.
Ata janë njerëzit më të besueshëm të partisë në universitet dhe dallohen aty për trimëri dhe marifetllëqe të shumta e të ndryshme. Çdokush në universitet i respekton dhe i përshëndet nga frika dhe nga shpresa se mos po i bëjnë ndonjë të keqe apo të mirë.
Ata janë mbi rektorin, prorektorin dhe dekanët, vetëm fjala e tyre dëgjohet dhe urdhri i tyre zbatohet, dëshira e tyre është aprovimi, amini i partisë, ata janë vetë partia në universitet.
Ata mund t’ju largojnë nga puna dhe t’ju marrin në punë, t’ju lëshojnë kontrata dhe vendime pune, nëse partia e mëparshme nuk jua ka dhënë, por me një qëllim e kusht që të heshtni, nëse nuk flisni mirë për partinë në universitet. Ata mund t’ju marrin edhe ndonjë provim, notë kaluese, nga profesorët që i kërcënojnë për këtë gjë.
Ata kanë zyrat e veta dhe janë shefa mbi administratën në veçanti dhe universitetin në përgjithësi, ata i komandojnë edhe bodigardat, kanë aty edhe vëllezërit, shokët, miqtë dhe farefisin e tyre që u ndihmojnë në luftë për nënshtrimin e universitetit dhe të kundërshtarëve të partisë.
Xhandari flet shqip dhe shet trimëri e lavdi brenda dhe jashtë universitetit se s’ka bir babe që mund t’ua marrë Universitetin e Tetovës dhe të mos e provojnë të duken këndej pari se copën më të madhe do t’ua bëjmë sa e zeza e thoit.
Mirëpo, kur partia tjetër qeveritare vjen dhe ua merr universitetin, këta heronj të partisë pa pushtet dhe imunitet qeveritar, humbin nam e nishan, nuk dalin nga dera, por ikin nga dritarja, dhe këtë e bëjnë natën që të mos i shohë askush dhe kurrë më nuk pingrojnë në universitetin e tyre aq të dashur e të pasur.
Agjenti flet maqedonisht, e ka emrin e urryer Serafim Tomovski dhe është i besueshmi dhe i dërguari i drejtpërdrejtë i Qeverisë maqedonase në universitet. Ai është armiku më i madh dhe më i rrezikshëm i Universitetit të Tetovës dhe është aty jo për ta ndërtuar, por për ta rrënuar këtë universitet.
Me fjalë të tjera, ky agjent është ambasadori i Qeverisë maqedonase dhe super rektori dhe prorektori i përjetshëm i Universitetit të Tetovës. Ndërrohen partitë qeveritare në universitetin e mjerë të Tetovës, rektorët e dekanët vijnë e shkojnë, heronjtë e tyre, bodigardat, xhandarët, por s’ka djalë nëne që mund ta lëvizë nga universiteti agjentin e Qeverisë maqedonase dhe armikun e universitetit tonë, ashtu të gjithë lajkatarët e partisë dhe lakmitarët për pushtet të universitetit i binden atij si zotit, i përulen dhe i përkulen, e pyesin dhe e dëgjojnë, e respektojnë dhe e çmojnë, dhe kështu atij po ia zgjatin jetën aty, kurse universitetit po ia shpejtojnë vdekjen.
Ky është një fakt i pamohueshëm që dëshmon qartë se sa të dobët, inferiorë e servilë janë ata që flasin shqip e sa të fortë e superiorë janë ata që flasin maqedonisht.
Për agjentin nuk vlejnë organet e Universitetit të Tetovës, as Statuti i këtij universiteti dhe as ligji i arsimit, ai qëndron mbi ta. Ai është pensionist, i ka shtatëdhjetë e gjashtë vjet dhe është funksionar i lartë në Universitetin e Tetovës, gjë që është në kundërshtim flagrant me të gjitha ligjet dhe normat ligjore të Arsimit të Lartë në Maqedoni.
Ai është emëruar nga partitë politike qeveritare, që hyjnë të parat në Universitetin e Tetovës, në postin e prorektorit për financa me mandat të përhershëm deri në vdekje, dhe kjo po shihet edhe nga partitë qeveritare që hyjnë e dalin nga universiteti dhe zhvillojnë luftëra të rrepta njëra me tjetrën për interesa të tyre, por asnjëra sosh s’guxoi ta prekë agjentin.
Ai udhëheq me buxhetin e Universitetit të Tetovës, i ka në dorë financat, paratë, gjakun e këtij universiteti dhe i kontrollon e menaxhon të gjitha të hyrat e të dalat në këtë universitet, incizon, përgjon e spiunon individët e caktuar dhe bisedat e tyre, organet e universitetit, takimet dhe mbledhjet e tyre zyrtare e private dhe për të gjitha këto që dihen e për gjëra të tjera që nuk dihen ai u raporton organeve përkatëse të Qeverisë maqedonase dhe merr prej tyre direktiva të caktuara për ta dobësuar e asgjësuar universitetin.
Agjenti jeton si sulltan në UT, ka zyrë të veten speciale, të mobiluar shtrenjtë; ka veturë, shofer që e çon për ditë në Shkup dhe e sjell prej andej, sekretareshë personale dhe celular të siguruar krejt nga universiteti, si dhe një pagë mujore që flitet se është mbi tre mijë euro, si dhe një honorar të majmë për mësimin që jep në një fakultet e shumë e shumë shtesa e benefite të tjera që ia jep universiteti, e ndoshta e merr edhe pensionin si dhe ndonjë shpërblim tjetër nga shteti i tij.
Edhe këto fakte për agjenturat e ndryshme të instaluara në UT, na flasin bindshëm se në këtë universitet s’ka shkencë, s’ka ligje, s’ka drejtësi, s’ka demokraci, të gjitha i ka shkelur politika qeveritare dhe partiake, dhe për këtë krim që po i bën procesit arsimor dhe shkencor në këtë universitet s’po jep asnjë llogari para popullit.


