Parku i erës në Zatriq me investime mbi 100 milionë euro, në korrik nis punën me 70 megavatë
Punimet në Parkun e Erës në Zatriq të komunës së Rahovecit po shkojnë drejt përfundimit, me projektin që pritet të vihet në funksion gjatë korrikut të këtij viti.
Ky investim i përbashkët nga “Çalık Reneëables dhe Eurokos”, me vlerë rreth 110 milionë euro, synon të rrisë ndjeshëm kapacitetin e prodhimit të energjisë së pastër në Kosovë, raporton KosovaPress.
Projekti ka një kapacitet të instaluar prej 70 megavatësh dhe pritet të prodhojë rreth 185 gigavat-orë energji elektrike në vit, duke mbuluar nevojat e afro 45 mijë familjeve.
Parku përbëhet nga 12 turbina me erë, secila me kapacitet prej 6.1 MW, me lartësi të boshtit 120 metra dhe lartësi totale deri në 199 metra. Në kulmin e punimeve, projekti ka angazhuar rreth 175 punëtorë, shumica prej tyre vendorë.
Gjatë vizitës në Zatriq, kryeministri në detyrë Albin Kurti theksoi rëndësinë e kushteve natyrore për prodhimin e energjisë së rinovueshme, duke vënë në dukje potencialin e erës në këtë zonë.
“Jemi këtu që t’i vizitojmë punimet në parkun e erë s në Zatriq të komunës së Rahovecit i cili pritet të përfundojë në korrik sivjet. Ky investim prej 110 milionë euro nga “Çalık Reneëables” nga Turqia dhe Eurokosi nga Kosova, i shton Kosovës një kapacitet të ri prej 7 mgv, për prodhimin e energjisë elektrike nga era. Pra një turbinë përafërsisht rreth 6 mgv, me që rast i kemi 12 të tilla gjithsej. Parku pritet të prodhojë 185 gigavat orë energji elektrike në vit, që mbulon konsumin e 45 mijë familjeve kosovare me energji të pastër”, tha Kurti.
Ai shtoi se projekte të tilla dëshmojnë përmirësimin e klimës së investimeve në vend dhe krijimin e kushteve të favorshme për investitorët e huaj në sektorin e energjisë së ripërtërishme.
Ministrja në detyrë Ekonomisë, Artane Rizvanolli, bëri të ditur se projekti po avancon sipas planifikimeve dhe se një pjesë e turbinave tashmë janë instaluar.
“Ne para vjeshtës së këtij viti, kur fillon të ftohet moti dhe të ngrihet kërkesa për energji elektrike, do të kemi 70 megavatë të reja në sistemin tonë elektroenergjetik, të cilat siç tha kryeministri shtohen rreth 185 gigavat orë, ndërsa për të folur me shifra për ata që nuk janë aq shumë në sektorin e energjisë, mirëpo ju intereson më shumë diçka tjetër, kjo do të thotë më shumë siguri e furnizimit brenda Kosovës, kjo do të thotë zëvendësim i importit në vlerë prej më shumë se 27 milionë euro në baza vjetore dhe do të thotë që energjia që e konsumojmë është më e pastër, është një kontribut pra i çmueshëm për sektorin tonë elektroenergjetik, mirëpo për të siguruar që gjithashtu edhe ndotja ulet, edhe përballueshmëria e çmimeve mbahet”, tha Rizvanolli.
Nga ana tjetër, drejtori ekzekutiv i “Çalık Reneëables”, Emre Erdogan, theksoi rëndësinë strategjike të energjisë për zhvillimin ekonomik dhe partneritetet afatgjata.
“Ne besojmë se energjia e përcakton drejtimin e kombeve dhe nxit qëndrueshmërinë, konkurrueshmërinë dhe prosperitetin afatgjatë të tyre. Kjo është arsyeja pse ne investojmë me një vizion afatgjatë, jo vetëm për të gjeneruar energji, por edhe për të ndihmuar në ndërtimin e partneriteteve më të forta ekonomike dhe afatgjata. Ky projekt pasqyron besimin tonë në Kosovën, udhëheqjen dhe popullin e saj, si dhe në të ardhmen e vendit. Projekti do të sjellë energji të pastër, forcim, krijim të vlerës lokale dhe do të mbështesë pavarësinë energjetike të vendit”, tha Erdogan.
Ndërkohë, drejtori i Projektit, “Savash Demirden”, ofroi detaje teknike mbi progresin e deritanishëm të punimeve dhe logjistikën e realizimit të projektit.
“Ne kemi 12 turbina me erë, secila me kapacitet prej 6.1 megavatësh, me lartësi të boshtit (hub) prej 120 metrash dhe lartësi maksimale prej 199 metrash. Deri më tani kemi realizuar afërsisht 1 milion metra kub punime të dheut, si dhe rreth 13,000 metra kub punime betoni për instalimet mekanike, instalimin e kullave dhe punimet në nënstacion. Kemi rreth 12 kilometra rrugë të brendshme, si dhe disa modifikime në punimet që do të vijojnë në lokacion. Turbinat tona vijnë kryesisht nga Spanja dhe Gjermania, ku edhe po zhvillohet prodhimi, transportohen me rrugë detare deri në portin shqiptar të Durrësit, dhe prej aty deri këtu, rreth 250 kilometra. Deri më tani janë realizuar më shumë se 150 transporte tokësore me kamionë.” tha Deminder.
Ky projekt konsiderohet një hap i rëndësishëm drejt rritjes së kapaciteteve të energjisë së ripërtërishme në Kosovë, duke kontribuar në sigurinë energjetike, uljen e varësisë nga importet dhe mbrojtjen e mjedisit. /KP/


