Please enter at least 3 characters.

Paralajmërimi për ndaljen e grumbullimit të qumështit, SHPQK: Kërkohet ndërhyrje e menjëhershme për stabilizimin e situatës

Shoqata e Prodhuesve të Qumështit të Kosovës (SHPQK) ka shprehur shqetësim lidhur me siç thonë njoftimin për ndaljen e grumbullimit të qumështit nga data 1 shtator 2026.

SHPQK thekson se pas takimit urgjent që kanë mbajtur sot, kërkojnë nga institucionet kompetente ndërhyrje të menjëhershme për stabilizimin e situatës dhe gjetjen e një zgjidhjeje urgjente.

“Fermerët janë jashtëzakonisht të brengosur dhe të pasigurt për vazhdimësinë e bizneseve të tyre. Konsiderojmë të papranueshme që një vendim me pasoja kaq të mëdha për sektorin të merret pa paralajmërim dhe pa një zgjidhje alternative për prodhuesit.

Si gjithmonë, barrën dhe pasojat më të mëdha po i bart fermeri. Qumështi është produkt i freskët dhe i përkufizuar nga natyra e tij si produkt që nuk mund të ruhet për periudha të gjata. Nëse grumbullimi ndërpritet, fermerët do të detyrohen ta derdhin qumështin, duke pësuar humbje të mëdha ekonomike dhe duke shkaktuar njëkohësisht edhe pasoja serioze mjedisore”, thuhet në reagim.

Sipas tyre, situata në sektorin e qumështit po përkeqësohet çdo ditë, ndërsa për fermerët kjo gjendje pasigurie është bërë e papërballueshme.

"Një ndërprerje e grumbullimit do të godiste drejtpërdrejt fermat, punësimin dhe zinxhirin e prodhimit të qumështit në vend.SHPQK kërkon që kjo çështje të trajtohet me urgjencën më të lartë dhe që institucionet kompetente të ndërhyjnë menjëherë për të siguruar vazhdimin e grumbullimit të qumështit dhe për të parandaluar një krizë edhe më të rëndë në sektor. Fermerët nuk mund të mbeten vetëm përballë kësaj krize. Nevojitet zgjidhje urgjente dhe konkrete", thuhet ndër të tjera në reagim. /Telegrafi/