Paolo Maldini zbulon prapaskenat: Marrëveshja me Pep Guardiolan ishte afër, paratë nuk ishin problemi por diçka tjetër
Paolo Maldini ka zbuluar detaje të reja rreth përpjekjes për ta emëruar Pep Guardiolën si përzgjedhës të Kombëtares së Italisë, duke insistuar se mungesa e marrëveshjes nuk kishte të bënte me paratë, por me lodhjen e trajnerit spanjoll.
Maldini ka folur gjerësisht për periudhën e tij të shkurtër si drejtor teknik i FIGC-së dhe për përplasjen me presidentin e federatës italiane, Giovanni Malago, në një intervistë për “Corriere della Sera”.
Gjatë intervistës, legjenda e Milanit foli hapur edhe për bisedat që kishte zhvilluar së bashku me Leonardo me Guardiolën, i cili në atë kohë ishte i lirë pas largimit nga Manchester City.
Maldini dhe Leonardo kishin udhëtuar drejt Barcelonës për t’u takuar me trajnerin spanjoll dhe për t’i prezantuar projektin e Kombëtares së Italisë. Sipas Maldinit, Guardiola ishte shumë i interesuar për mundësinë që të merrte drejtimin e “Azzurrëve”.
“Ai ua kishte shprehur disa miqve të tij dëshirën për të drejtuar një kombëtare. Ne shkuam ta vizitonim në Barcelonë, hëngrëm drekë së bashku dhe biseduam gjatë gjithë ditës”.
“Ai ishte shumë i tunduar. Ishte shumë pranë pranimit të ofertës. Madje kishte filluar të shkruante formacione në disa fletë”.
Në Itali më herët ishte raportuar se Guardiola kërkonte një pagë prej 20 milionë eurosh në sezon për të marrë drejtimin e Italisë. Megjithatë, Maldini e ka mohuar kategorikisht këtë.
“Absolutisht jo. Paratë nuk ishin kurrë problem. Pep na tha qartë: ‘Më jepni një euro më pak se ajo që merrte trajneri i mëparshëm dhe jam në rregull’”, ka treguar ai.
Por, nëse paratë nuk ishin problemi, pse Guardiola nuk u emërua trajner i Italisë?
“Për shkak të lodhjes”, ka insistuar Maldini. “Guardiola vinte pas 10 vitesh rraskapitëse në Ligën Premier. Ai kishte kryer edhe një operacion në shpinë dhe dëshironte të pushonte. Por ishte një diskutim shumë serioz. Ne kishim analizuar skuadrat nga U17 e deri te ekipi i parë”.
Në fund, Italia zgjodhi një tjetër emër për stolin.
“Pastaj shkuam me Andrean (Pirlo). Malago i dinte të gjitha, e kishim informuar hap pas hapi”, përfundoi Maldini./Telegrafi/


