Please enter at least 3 characters.

Pa qeveri dhe pa buxhet, Kosova drejt një krize institucionale dhe ekonomike?

Të dielën, më 26 tetor, Kuvendi i Kosovës nuk arriti të zgjedh Qeverinë e re të propozuar nga Albin Kurti. Dështimi në zgjedhjen e qeverisë ndodhi pasi koalicioni fitues i zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit LVV-GUXO-Alternativa, nuk arriti t’i sigurojë numrat e nevojshëm për formimin e qeverisë.

Për kabinetin e ri qeveritar votuan vetëm 56 deputetë, kundër ishin 48, ndërsa katër deputetë abstenuan.

Ky dështim mund ta çojë vendin drejt zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare. Për më tepër, për shkak të mungesës së institucioneve të reja, ekziston rreziku që vendi të përballet me krizë ekonomike, pasi nuk do të mund të miratohet buxheti për vitin 2026.

Njohësi i çështjeve ekonomike, Safet Gërxhaliu, ka folur për Telegrafin lidhur me situatën e krijuar, duke theksuar se dështimi i votimit të qeverisë do të lërë gjurmë në disa aspekte.

"Shqetësimi më i madh është së Kosova po hyn në një krizë, e cila po lërë gjurmë jo vetëm në aspektin politik, por edhe ekonomik, social dhe kulturor, dhe në këtë drejtim, dështimi i votimit të qeverisë, apo mos arritja e një ujdie për krijimin e institucioneve apo qeverisë së re, do të ketë efekte norme negative ne aspektin ekonomik, qoftë në aspektin intern qoftë në aspektin ekstrem", theksoi ai.

Gërxhaliu pohoi se në aspektin intern, po e shihet që është mungesa e dëgjimeve buxhetore për përgatitjen e buxhetit për vitin 2026.

"Dhe e tëra kjo ndikon në faktin që më shumë se 36 agjencione të ndryshme janë të pa udhëhequra, dhe vetëm me ushtrues detyre. Kjo po e dëmton në masë të madhe në aspektin ekonomik Kosovën. Dhe kur krejt kësaj i shtohet fakti së në aspektin ekstrem, jemi nën sanksione të BE-së, jemi në një ngërç politik në raportet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për ngrirjen e partneritetit strategjik", theksoi ai.

Po ashtu, ai tha se si pasojë e mungesës së institucioneve, Kosova nuk do të mund të përfitojë as nga plani i rritjes së Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor.

"Kemi më tepër se 600 milionë euro, vlera të projekteve që janë të pezulluara nga Bashkimi Evropian, kemi më tepër se 218 milionë euro në IPA 2 dhe IPA 3, dhe kemi një buxhet prej 300 milionë e gjysmë fondi investim për Ballkanin Perëndimor, dhe këtu Kosova nuk përfshihet, atëherë paramendoni se cilat janë efektet në të ardhmen? Është një krizë e cila do të bartet edhe te gjeneratat e ardhshme, dhe nuk duhet të na habisë fakti që në aspektin gjeografik Kosova është afër me Evropë, po në arritjen e nivelit të zhvillimit ekonomik jemi shumë larg prej Evropës", tha ndër tjera ai.

Njohësi i ekonomisë vlerëson se është koha kur në Kosovë, politikanët duhet të ngriten mbi interesant personale të partisë dhe të bëjnë më shumë për shtet dhe jo vetëm për pushtet.

"Sepse në këtë mënyrë, ardhmëria është duke u ngulfatur, dhe ajo që është më shqetësuese është se vendet e rajonit janë duke përfituar sa i përket planit për rritje të Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor. Dhe të kesh në dispozicion afër 800 milionë euro, dhe për mungesë të institucioneve dhe ratifikimit të shumë marrëveshje të dëmtohet ekonomia kosovare, kjo është diçka që rinia nuk do të ua falë kurrë", theksoi ai.

Ndryshe, më 9 shkurt 2025, në Republikën e Kosovës u zhvilluan zgjedhjet parlamentare, në të cilat qytetarët ushtruan të drejtën e tyre për të zgjedhur përfaqësuesit në Kuvend. /Telegrafi/

true