Ousmane Dembele favorit edhe për çmimin e më të mirit nga FIFA
Ousmane Dembele dhe Aitana Bonmati janë favoritët kryesorë për të fituar çmimet FIFA The Best 2025 në kategoritë për meshkuj dhe femra, raporton “Mundo Deportivo”.
Ceremonia e ndarjes së çmimeve do të mbahet të martën, duke filluar nga ora 18:00 sipas kohës së Evropës Qendrore, në kuadër të një gale diskrete të organizuar nga FIFA në Doha të Katarit.
Dembele pritet të jetë i pranishëm personalisht në ceremoni, gati tre muaj pasi fitoi për herë të parë në karrierë Topin e Artë. Anësori i PSG-së shihet si favorit i padiskutueshëm pas një sezoni vendimtar në nivel klubesh, ku paraqitjet e tij patën ndikim të drejtpërdrejtë në sukseset e skuadrës franceze.
Ndryshe nga Topi i Artë, votimi për çmimin FIFA The Best përfshin gazetarë, trajnerë të përfaqësueseve kombëtare dhe kapitenë ekipesh, gjë që i jep procesit një dimension më të gjerë vlerësimi.
Në kategorinë e trajnerëve, kandidati kryesor është Luis Enrique. Trajneri i PSG-së spikat pas drejtimit të klubit drejt një triplete historike, duke u konsideruar zgjedhja më e fortë për këtë çmim.
Çmimet FIFA The Best do të ndahen një ditë para finales së Kupës Interkontinentale, e cila do të zhvillohet të mërkurën në Doha mes PSG-së dhe Flamengos, duke e bërë kryeqytetin e Katarit qendër të vëmendjes së futbollit botëror për disa ditë radhazi./Telegrafi


