Please enter at least 3 characters.

Osmani vizitë në Arabi Saudite, diskutohet bashkëpuni ekonomik dhe lehtësimi i vizave

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, u prit sot në një takim zyrtar nga Princi i Kurorës së Mbretërisë së Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman.

Në takim mori pjesë edhe Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, myftiu Naim Tërnava.

Presidentja Osmani shprehu mirënjohjen e saj të thellë për mbështetjen dhe miqësinë e vazhdueshme që Mbretëria e Arabisë Saudite i ka dhënë Kosovës ndër vite, duke theksuar se ky raport është themelor për forcimin e pozitës ndërkombëtare të shtetit.

Ajo theksoi rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit ekonomik dhe hapjes së kapitujve të rinj në marrëdhëniet mes dy vendeve. Në këtë kuadër, Osmani propozoi lehtësimin e lëvizjes së lirë për qytetarët e Kosovës përmes mundësisë së aplikimit për viza elektronike, një nismë që u mirëprit me interes të veçantë nga Princi i Kurorës, Mohammed bin Salman.

Gjatë takimit, të dy palët shprehën përkushtimin për paqe, stabilitet dhe bashkëpunim rajonal e global, si dhe gatishmërinë për të forcuar marrëdhëniet dypalëshe përmes marrëveshjeve të reja.

Presidentja Osmani gjithashtu theksoi se Kosova është e gatshme të zgjerojë bashkëpunimin me Arabinë Saudite në fusha si energjia e rinovueshme, turizmi, bujqësia dhe siguria ushqimore, arsimi, inovacioni digjital dhe zhvillimi i qëndrueshëm, duke hapur kapituj të rinj në raportet midis dy vendeve.