Osmani ushtron të drejtën e votës në Prishtinë: Sot është po aq ditë e rëndësishme sa raundi i parë
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, e shoqëruar nga bashkëshorti i saj Prindon Sadriu, ka kryer sot obligimin e saj qytetar duke votuar në Fakultetin Teknik në Prishtinë.
Pas votimit, presidentja u prononcua para mediave, duke theksuar rëndësinë e kësaj dite zgjedhore dhe pjesëmarrjes së qytetarëve në procesin demokratik.
“Dita e sotme është po aq e rëndësishme sa raundi i parë. Qytetarët jo vetëm vendosin se kush do t’i udhëheqë për një të ardhme më të mirë për fëmijët tanë dhe për komunat ku ata jetojnë. Rrjedhimisht, shpresoj që secili nga qytetarët me të drejtë vote do ta shfrytëzojë këtë të drejtë dhe do të dalë sot në votime”, deklaroi Osmani.
Ajo theksoi se Kosova gëzon një demokraci të fortë elektorale, duke vlerësuar lart përkushtimin e qytetarëve dhe integritetin e proceseve zgjedhore.
“Kosova ka demokracinë më të fortë elektorale në rajon, dhe kjo është për shkak të pjesëmarrjes së qytetarëve tanë në votime, për shkak të rregullsisë së proceseve zgjedhore dhe sepse gjithnjë organizojmë zgjedhje të lira e demokratike. Jam besimplotë se edhe dita e sotme do të jetë e tillë”, u shpreh Presidentja.
Osmani përfundoi duke ftuar të gjithë qytetarët që të ushtrojnë të drejtën e tyre kushtetuese për të vendosur për komunën ku jetojnë. /Telegrafi/


