Please enter at least 3 characters.

Osmani në takim delegacionin e Kongresit amerikan: Bashkëpunimi me SHBA, jetik për realizimin e synimeve euroatlantike

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim kongresistet Claudia Tenney dhe Chrissy Houlahan, të shoqëruara nga e ngarkuara me punë në Ambasadën e SHBA-ve në Kosovë, Anu Prattipati dhe anëtarë të tjerë të delegacionit të Kongresit.

Në këtë takim, përveç situatës aktuale politike dhe të sigurisë në vend, u diskutua për forcimin e partneritetit strategjik ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara, me fokus të veçantë në fushën e mbrojtjes, investimeve dhe avancimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe.

Presidentja Osmani theksoi se partneriteti strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës është shtylla kryesore për të garantuar stabilitetin afatgjatë në Ballkanin Perëndimor.

Ajo nënvizoi se sa herë që SHBA-ja ka qenë e përfshirë dhe ka luajtur rol aktiv në rajonin tonë, janë arritur zgjidhje të qëndrueshme dhe është shënuar përparim i rëndësishëm.

Po ashtu, Presidentja shprehu falënderimet më të thella për prezencën e vazhdueshme të trupave amerikane në vendin tonë, duke theksuar se ky angazhim ka qenë themelor për ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit në momentet më të vështira.

Osmani tha se ndihma dhe mbështetja amerikane, të ofruara që nga ditët më sfiduese, janë dëshmi e miqësisë së palëkundur dhe angazhimit të përbashkët për paqen dhe prosperitetin në rajonin tonë.

Duke falënderuar kongresistët për mbështetjen amerikane ndaj Kosovës, Presidentja Osmani theksoi se bashkëpunimi i ngushtë me Shtetet e Bashkuara është po ashtu jetik për realizimin e synimeve euroatlantike të vendit, që mbeten qëllim i palëkundur për Republikën e Kosovës, thuhet në komunikatë. /Telegrafi/