“Ora e Pritjes” vendoset edhe në Podujevë
Në Podujevë ka nisur aktiviteti “Ora e Pritjes”, me të cilin po numërohet mbrapsht drejt 16 shtatorit, ditës së shpalljes së aktgjykimit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit në Hagë.
Sipas njoftimit të platformës qytetare “Liria Ka Emër”, nga Podujeva është përcjellë mesazhi për drejtësi, liri dhe kthimin në Kosovë të katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Ora e Pritjes” është pjesë e aktiviteteve që po zhvillohen në prag të 16 shtatorit.
Ndërkohë, aktivitetet e platformës “Liria Ka Emër” do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, në kuadër të organizimit të “Marshit për Liri”.
Marshi është paralajmëruar të mbahet më 12 shtator, duke filluar nga ora 14:00, në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.
Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi po gjykohen në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, ndërsa aktgjykimi në rastin ndaj tyre pritet të shpallet më 16 shtator.


