Olivia Wilde flet për herë të parë për “traumën” pas ndarjes nga Harry Styles
Olivia Wilde ka folur hapur për periudhën e vështirë që përjetoi gjatë vitit 2022, kur ndarja e saj nga Harry Styles përkoi me publikimin e filmit “Don't Worry Darling”.
Në një intervistë për podkastin e Louis Theroux, regjisorja dhe aktorja e përshkroi atë periudhë si traumatizuese, duke pranuar se polemikat e shumta e lanë në hije vetë filmin.
Wilde tha se publiciteti rreth jetës së saj private dhe thashethemet për konfliktet në prapaskenë bënë që vëmendja të largohej nga puna e ekipit që realizoi filmin, shkruan DailyMail.
Sipas saj, “Don't Worry Darling” nuk mori mundësinë të vlerësohej për mesazhin dhe përkushtimin e njerëzve që punuan në të gjatë pandemisë.
Ajo pranoi se në atë kohë ishte naive për mënyrën se si funksionon interneti dhe mediet sociale, por tani e sheh gjithë situatën me më shumë qetësi dhe perspektivë. “Është interesante ta shohësh një tornado nga brenda”, u shpreh Wilde.
Regjisorja tha gjithashtu se përvoja me filmin e saj të ri, “The Invite”, ka qenë krejt ndryshe dhe në njëfarë mënyre shëruese.
Filmi është pritur shumë mirë nga kritika dhe ka shënuar një rikthim të suksesshëm për Wilde, pas polemikave që shoqëruan projektin e saj të mëparshëm. /Telegrafi/


