OKB: Numri më i lartë i viktimave civile në Ukrainë që nga maji i vitit 2022
Në korrik të vitit 2026, më shumë civilë u vranë ose u plagosën se në çdo muaj tjetër që nga marsi i vitit 2022, bëri të ditur sot Misioni i Kombeve të Bashkuara për Monitorimin e të Drejtave të Njeriut në Ukrainë (OKB).
Sipas të dhënave të Misionit të OKB-së për Monitorimin e të Drejtave të Njeriut në Ukrainë, të paktën 437 civilë janë vrarë dhe 2.610 të tjerë janë plagosur gjatë korrikut.
Këto shifra paraqesin një rritje prej 30 për qind krahasuar me muajin qershor dhe prej 70 për qind në raport me korrikun e vitit 2025.
“Numri i civilëve të vrarë është më i larti i regjistruar që nga maji i vitit 2022”, thuhet në njoftimin e misionit të OKB-së.
Ndërkohë, numri i përgjithshëm i civilëve të vrarë dhe të plagosur gjatë korrikut ishte më i larti i regjistruar brenda një muaji që nga marsi i vitit 2022.
OKB-ja ka paralajmëruar se shifrat reale mund të jenë edhe më të larta, pasi procesi i verifikimit të rasteve vazhdon. Rritja e numrit të viktimave lidhet me intensifikimin e sulmeve të forcave ruse ndaj qyteteve dhe zonave të banuara në Ukrainë. /Telegrafi/


