Ofertë e çmendur për Rahphinan me 48 milionë euro në sezon, a do të largohet braziliani nga Barcelona?
Klubet saudite vazhdojnë ofensivën e tyre për të sjellë emra të mëdhenj të futbollit evropian në Ligën Profesionale Saudite. Objektivi i radhës është një nga lojtarët më të rëndësishëm të Barcelonës, braziliani Raphinha.
Sipas raportimeve të Mundo Deportivo, Al Hilal dhe Al Nassr, me mbështetjen e fondit sovran saudit PIF, janë duke përgatitur një ofertë të jashtëzakonshme për ta bindur sulmuesin anësor të largohet nga "Camp Nou".
Thuhet se 29-vjeçari do të përfitonte një pagë neto prej rreth 48 milionë eurosh në sezon, katër herë më shumë sesa fiton aktualisht te Barcelona. Ndërkohë, klubi katalanas do të përfitonte rreth 80 milionë euro nga shitja e kartonit të tij.
Raphinha ka qenë një nga lojtarët kyç të ekipit të drejtuar nga Hansi Flick dhe deri më tani ka shprehur vazhdimisht dëshirën për të vazhduar karrierën në Barcelonë.
Megjithatë, raportet e fundit sugjerojnë se braziliani ka reflektuar mbi të ardhmen e tij pas një sezoni të vështirë, të shoqëruar me lëndime dhe presion të madh.
Klubet saudite shpresojnë që kjo situatë t'ua hapë derën për të realizuar transferimin e madh. Nëse zgjedh Al Hilalin, Raphinha do të bëhej pjesë e një skuadre me shumë yje, ndërsa te Al Nassr mund të luante përkrah Cristiano Ronaldos, Sadio Manes dhe Joao Felixit.
Kontrata e brazilianit me Barcelonën është e vlefshme deri në verën e vitit 2028, por mbetet të shihet nëse oferta milionëshe nga Arabia Saudite do ta tundë një nga lojtarët më të rëndësishëm të gjigantit katalanas. /Telegrafi/


