Observatori Kombëtar kap për herë të parë video dhe fotografi të Jupiterit dhe Saturnit
Observatori dhe Planetariumi Kombëtar i Kosovës ka shënuar një arritje historike në fushën e astronomisë vendore, duke realizuar për herë të parë video dhe fotografi të planetëve gjigantë, Jupiterit dhe Saturnit.
Vrojtimet u bënë përmes kamerës planetare të integruar në teleskopin Schmid Cassegrain 14", pajisje moderne që po mundëson një nivel të ri kërkimi dhe dokumentimi shkencor.
Në njoftimin e publikuar nga Komuna e Shtimes dhe vetë Observatori Kombëtar, theksohet se pamjet e kapura shënojnë një hap të rëndësishëm në zhvillimin e vrojtimeve astronomike në Kosovë, raporton Telegrafi.
Përmes këtyre imazheve, janë regjistruar me sukses brezat karakteristikë të Jupiterit dhe unazat e famshme të Saturnit, duke sjellë për publikun shqiptar pamje autentike të këtyre trupave qiellorë.
Stafi i Observatorit u shpreh se ky moment është “emocion i veçantë” dhe përfaqëson vetëm fillimin e një faze të re, më profesionale dhe më të avancuar në hulumtimin e universit nga Kosova.
Institucioni njofton se së shpejti do të publikohen edhe imazhe të tjera mahnitëse të trupave qiellorë, duke premtuar një rrugëtim të ri shkencor që do të frymëzojë të rinjtë dhe pasionantët e astronomisë në vend. /Telegrafi/


