OBRM-PDUKM: Për Filipçen çdo mundësi e re për Maqedoninë është rast për të shpërndarë panik
Partia maqedonase në pushtet OBRM-PDUKM, e akuzoi LSDM‑në dhe kryetarin e saj Venko Filipçe se pa argumente krijojnë frikë dhe panik në opinion lidhur me mundësinë e ndërtimit të qendrave të të dhënave në Maqedoni.
Nga OBRM-PDUKM thonë se sa herë që paralajmërohet ndonjë projekt i ri, i cili sipas tyre mund ta bëjë shtetin më modern dhe më konkurrues, opozita reagon me mesazhe negative dhe paralajmërime pa mjaftueshëm fakte dhe analiza profesionale.
“Filipçe sërish doli publikisht me qëndrime kategorike për ndërtimin eventual të qendrave të të dhënave në Maqedoni, sikur mendimi i tij vetvetiu të ishte argument i mjaftueshëm. Në komunikatë ata i referohen edhe Pehçevës, duke vlerësuar se iniciativa kundër qendrave të të dhënave atje nuk ka pasur sukses dhe se pas kësaj ka pasuar një shpërndarje e re e frikës në opinion", thonë nga OBRM-PDUKM.
Nga partia theksojnë se Maqedonia duhet të tërheqë investime, të ndërtojë infrastrukturë moderne dhe të bëhet më konkurruese, por shtojnë se kjo duhet të bëhet me respektim të ligjeve, mbrojtje të mjedisit jetësor dhe standarde të larta për sigurinë e qytetarëve.
Sipas OBRM-PDUKM, në vend të një debati të argumentuar për përfitimet dhe rreziqet nga këto investime, LSDM çdo mundësi për zhvillim e shndërron në temë politike dhe arsye për frikë.
“Maqedonisë i duhet zhvillim dhe vizion, e jo histeri politike sa herë që diçka mund ta bëjë më moderne dhe më të fortë”, porosisin nga OBRM-PDUKM.


