Please enter at least 3 characters.

Nxirret trupi i pajetë i minatorit të bllokuar në minierën e Bulqizës

Është nxjerrë nga thellësia e minierës në Tërnovë të Bulqizës trupi i pajetë i minatorit 40-vjeçar, Ilir Koloveri, i cili mbeti i bllokuar pas një aksidenti në vendin e punës.

Pas kërkimeve intensive nga ekipet e kërkim-shpëtimit, shërbimet e Policisë dhe personeli teknik i subjektit minerar, u bë e mundur gjetja dhe nxjerrja e trupit të minatorit nga galeria.

Sipas autoriteteve, 40-vjeçari kishte rënë në një furnelë gjatë procesit të punës në minierë dhe ishte mbuluar nga materiali i kromit pas një shembjeje brenda galerisë.

Trupi i pajetë është nisur drejt Institutit të Mjekësisë Ligjore në Tiranë, ku do të kryhet ekspertiza mjekoligjore për përcaktimin e shkaqeve të vdekjes.

“Pas kërkimeve intensive të kryera nga ekipet e kërkim-shpëtimit, shërbimet e Policisë dhe personeli teknik i subjektit minerar ku ndodhi aksidenti, u bë e mundur gjetja dhe nxjerrja e trupit të pajetë të shtetasit I. K., 40 vjeç, banues në Klos”, njoftoi Policia.

Ndërkohë, grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, ka nisur veprimet procedurale për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit dhe për të përcaktuar shkaqet që çuan në humbjen e jetës së minatorit./Telegrafi.