Please enter at least 3 characters.

Nxënësit e shkollës “Thimi Mitko” nga Gjilani vizitojnë Liqenin e Ujmanit

Nxënësit e klasave të nënta të Shkollës Fillore të Mesme të Ulët “Thimi Mitko” në Gjilan, së bashku me mësimdhënësit dhe drejtoreshën e shkollës, Ardhmerie Jakupi Musliu, kanë realizuar një vizitë edukative në Liqenin e Ujmanit.

Sipas drejtuesve të shkollës, vizita u organizua me qëllim që nxënësit të njihen më nga afër me bukuritë natyrore, si dhe me rëndësinë ekonomike dhe turistike të njërit prej resurseve më të rëndësishme ujore në Kosovë.

Drejtoresha Ardhmerie Jakupi Musliu bëri të ditur se për shumë prej nxënësve kjo ishte vizita e parë në Liqenin e Ujmanit, gjë që e bëri përvojën edhe më të veçantë.

“Gjatë vizitës, patëm mundësinë të shijojmë peizazhet e mrekullueshme, ku nxënësit mësuan më shumë për rëndësinë e liqenit dhe kaluan momente të këndshme në natyrë”, tha Jakupi Musliu.

Ajo theksoi se aktivitete të tilla kontribuojnë në pasurimin e njohurive të nxënësve dhe në ndërgjegjësimin e tyre për vlerat natyrore të vendit.

Vizita u vlerësua si një përvojë e dobishme edukative, e cila u ofroi nxënësve mundësinë të kombinojnë mësimin praktik me njohjen e trashëgimisë natyrore të Kosovës. /Telegrafi/