Please enter at least 3 characters.

Nottingham e shokon Chelsean në “Stamford Bridge”

Nottingham Forest arriti një fitore të madhe në javën e 35-të të Ligës Premier, duke triumfuar 3-1 në fushën e Chelseat.

Nottingham e nisi ndeshjen në mënyrë perfekte, duke kaluar në epërsi që në minutën e 2-të, kur Taiwo Awoniyi shënoi me kokë pas një krosimi të Dilane Bakwa (0-1).

Chelsea u përpoq të reagojë dhe pati një mundësi të artë në minutën e 11-të, por Enzo Fernandez goditi shtyllën.

Më pas, VAR ndërhyri për një situatë në zonë dhe në minutën e 14-të u akordua penallti për Nottingham. Igor Jesus realizoi nga pika e bardhë në minutën e 15-të për 0-2, duke e vënë në vështirësi të madhe ekipin vendas.

Pjesa e parë u shoqërua edhe me ndërprerje të shumta për shkak të dëmtimeve. Në fund të pjesës së parë, Chelsea fitoi penallti, por Cole Palmer gaboi në minutën 45+10’, teksa portieri Matz Sels bëri pritje vendimtare dhe e mbajti epërsinë e Nottinghamit.

Në pjesën e dytë, Nottingham e mbylli praktikisht ndeshjen në minutën e 52-të, kur Awoniyi shënoi golin e dytë personal pas asistimit të Morgan Gibbs-White për 0-3.

Chelsea tentoi të ngjallej, ndërsa pati edhe një gol të shënuar në minutën e 73-të nga Joao Pedro, por u anulua për pozicion jashtë loje pas rishikimit me VAR.

Në minutat shtesë, Chelsea arriti ta zbusë disfatën me një supergol të Joao Pedro në minutën 90+3’, i cili realizoi me një gërshërë spektakolare brenda zonës për rezultatin përfundimtar 1-3.

Skuadra e Vitor Pereiras mori tri pikë jetike në garën për mbijetesë dhe tashmë ngjitet në vendin e 16-të me 42 pikë, ndërsa Chelsea mbetet në pozitën e 9-të me 48 pikë, duke vazhduar sezonin me luhatje. /Telegrafi/

Standings provided by Sofascore