Nora Istrefi u del në krah studentëve në Maqedoninë e Veriut: Zëri ynë ka peshë
Këngëtarja Nora Istrefi ka reaguar në rrjetet sociale duke shprehur mbështetje për studentët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, të cilët kanë paralajmëruar protestë më 18 maj 2026 në Shkup.
Përmes një postimi në InstaStory, Istrefi ka shpërndarë thirrjen: “Protestë - Bashkohuni me studentët, të gjithë një zë”, duke i ftuar qytetarët që të jenë pjesë e protestës.
Në postim jepen edhe detajet e tubimit: “Para Urës së Gurit, Shkup 16:30”.
Në mesazhin shoqërues, Nora Istrefi thekson se “zëri ynë ka peshë” dhe se gjuha shqipe nuk është vetëm komunikim, por “identitet, histori dhe sakrificë e gjeneratave tona”.
Ajo thekson se studentët shqiptarë sot kanë nevojë për mbështetje dhe u bën thirrje edhe kolegëve të saj nga estrada, artistëve dhe figurave publike që ta shpërndajnë postimin, në mënyrë që zëri i studentëve të dëgjohet.
“Kur bashkohemi për një kauzë të drejtë, ndikimi ynë bëhet shumë ma i madh”, shkruan ajo.
Reagimi i këngëtares u komentua nga ndjekësit si një tjetër zë publik që i bashkohet kërkesës për barazi dhe për respektimin e të drejtave të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. /Telegrafi/


