Please enter at least 3 characters.

Nolani bëri një Odise për kohën tonë - duke sakrifikuar errësirën e hijshme të epikës të Homerit

Skenë nga filmi “Odiseu” (2026)
Foto: Melinda Sue Gordon/Universal Pictures

Nuk mund të mohohet fuqia e filmit në ekranin e madh. Por, deri ku duhet të ndikojnë ndjesitë morale moderne në përshtatjet e veprave klasike?

Nga: Charlotte Higgins / The Guardian
Përkthimi: Telegrafi.com

Të gjithë e dinë se sa budallallëk është të jesh ky person: ai që vajton përshtatjen kinematografike të një teksti të dashur, sepse mungon kjo skenë, ose sepse e lexon gabimisht atë personazh veçanërisht të dashur, ose sepse ka një qasje disi “joautentike” ndaj ndonjë detaji. Natyrisht, po flas për përshtatjen filmike të Odisesë nga Christopher Nolani, një poemë të cilën e kam dashur qëkur isha adoleshente. Filmi më pëlqeu, ashtu si edhe një numri shumë të madh njerëzish të tjerë. Duket e jashtëzakonshme, madje marramendëse, që përshtatja e një poeme gati 3000-vjeçare të ketë arkëtuar 264 milionë dollarë [232 milionë euro] në kinema gjatë fundjavës së parë të shfaqjes, t'i ketë ngritur përkthimet e Odisesë në krye të listave të librave më të shitur dhe t'i ketë shitur të gjitha biletat (për shembull) në BFI Imax të Londrës deri thellë në shtator. Po jetojmë në një kohë të Odisesë, në mes të etheve të Odisesë.

Nuk ka kuptim të përpiqesh të jesh purist përballë një teksti të dashur klasik. Kushdo që e lexon Odisenë, përfshirë Nolanin, në mënyrë të pashmangshme e bën këtë përmes prizmit të paragjykimeve të veta, të formuara nga kushtet e vendit dhe të kohës së vet. Meqenëse Odiseja është rezultat i dhjetëra vjetëve - ndoshta shekujve - të poetëve oralë që nuk kanë shkruar, të cilët punonin me kujtesë dhe improvizim, patjetër që s’ka vend ose kohë të saktë “origjinale” ku të kthehesh. Por, ajo që nuk mund të mos bëj është të vëzhgoj zgjedhjet që ka bërë Nolani dhe të mendoj për pasojat e tyre - meqë përherë ka ndarje në rrugë, shtigje që s’i merr asnjë përshtatës.

Nolani është brilant në rikrijimin e një aspekti të poemës origjinale: strukturës së saj të ndërlikuar. Poema tregon historinë e udhëtimit dhjetëvjeçar të kthimit nga rrethimi i Trojës të heroit të saj, Odisesë: aventurat që ai përjeton gjatë rrugës dhe mënyrën se si e rivendos veten si kreun e shtëpisë së vet pasi kthehet në vatër. Ka përbindësha, shtriga, magji dhe stuhi në det. Dhe, më pas, ai duhet të depërtojë në shtëpinë e vet i maskuar si lypës, përpara një gjakderdhjeje hakmarrëse të denjë për Tarantinon. Është histori që nuk tregohet sipas rendit kronologjik, por përmes linjave paralele kohore dhe rikthimeve në të kaluarën. Nolani, siç kisha shpresuar nga krijuesi i [filmave] Inception, Memento dhe The Prestige, ndjek frymën e strukturës së përdredhur, spiralore të poemës origjinale me planin e tij të ndërlikuar.

Por, Odiseu i tij, i filtruar përmes interpretimit të Matt Damonit, është një figurë e zymtë dhe e përvuajtur, jo gënjeshtar llafazan i aftë në retorikë, plot sharmë të cilin unë e shoh në poemë. Kinemaja është medium pamor - jo zhanër për fjalime të gjata - por, megjithatë, heroi i Nolanit është figurë goxha fjalëpakë. Ai është gjithashtu i pushtuar nga ndjenja e fajit dhe i ngarkuar me ndërgjegje në një mënyrë që flet më shumë për një trashëgimi judeo-kristiane dhe për ndjesinë e Nolanit ndaj një bote të lodhur nga lufta sesa për ndonjë gjë te Homeri. Aty ku poema e paraqet Odisenë duke e futur të birin, Telemakun, në jetën e luftëtarit - me të dy që luftojnë së bashku kundër armiqve të tyre shtëpiakë - filmi gjen një mënyrë për ta çliruar të riun nga barrët e jetës së një vrasësi.

Odiseja, megjithatë, nuk është poemë kundër luftës, edhe pse është poemë e pasluftës. Odiseu i Homerit vendoset në një gjenealogji luftëtarësh që shtrihet prapa deri te veterani i madh Nestor dhe më tej (Nestori mungon në film, kështu që kjo shtresë trashëgimie humbet) dhe përpara drejt brezit të ardhshëm. Lufta është, për Odisenë, një fakt i jetës - ndonëse një fakt i dhimbshëm dhe shkatërrues. Por, ideja se Odiseu mban një barrë morale për shkatërrimin e Trojës është krejtësisht e Nolanit. Ai e ka mbuluar poemën me preokupimet dhe ankthet e veta, siç bëjnë në fund të fundit të gjithë lexuesit, dhe ka krijuar një përshtatje të zbutur dhe të akorduar sipas ndjesive moderne. Po t'i kishte qëndruar më afër materialit burimor, nuk jam e sigurt se llogaritarët e kinematografisë do të ishin tani duke numëruar me aq gëzim paratë. A do të rrinin vërtet në radhë shikuesit e sotëm të kinemasë për të parë një rresht grash të skllavëruara të varura, si pëllumba të zënë në kurth (thotë poema), me këmbët që u dridhen ndërsa vriten?

Nolani ka shtuar, por sigurisht edhe ka hequr. Ai ka hequr jo vetëm çaste të errëta dhe të tmerrshme, si varja e skllaveve, por edhe, në kontrast me to, lehtësinë dhe zgjuarsinë e epikës. Kjo është veçanërisht e dukshme në mënyrën se si i trajton personazhet femërore. Helena e Nolanit, plot mllef, e interpretuar nga e shkëlqyeshmja Lupita Nyong’o, është plagosur si në kuptimin e drejtpërdrejtë, ashtu edhe në atë të figurshëm - në vend që të jetë hijerëndë, rrezatuese dhe elegante. Kirka e tij është madhështore dhe e çuditshme (dhe interpretohet në mënyrë të jashtëzakonshme nga Samantha Morton), por jo qesharake ose joshëse. Për shkak se ai i ka hequr perënditë e Olimpit nga çdo rol kuptimplotë në film, humbasim një çast të mrekullueshëm kur hyjnesha Kalipso (e interpretuar nga Charlize Theron) i ankohet perëndisë Hermes për standardin e dyfishtë seksual (është në rregull që perënditë të bëjnë seks me gra të vdekshme, ankohet ajo, por jo që hyjneshat të flenë me burra). Marrëdhënies midis Atenës së Zendayas dhe Odisesë të Damonit i mungon shkëndija flirtuese që është kaq e këndshme në poemë.

Nuk është as Nausikaja e re e druajtur që e gjen Odisenë të rraskapitur dhe lakuriq në breg (një skenë e mrekullueshme), sepse Nolani e ka zhdukur Nausikanë, si edhe nënën e saj enigmatike, Aretenë. Është hequr edhe nëna e Odisesë - dhe, unë do të argumentoja se edhe gruas së tij, Penelopës (Anne Hathaway), i mungojnë disa shtresa komplekse, pasi është zhdukur prirja e saj e çuditshme. Heqja pothuajse e plotë e perëndive është vendim i kuptueshëm, nëse dëshiron të përqendrohesh te motivimet dhe zgjedhjet njerëzore. Është më lehtë të përfytyrosh perëndi në një poemë sesa t'i shohësh duke u lëkundur në mënyrë të ngathët mbi një re në një film. M'u kujtua romancieri Colm Tóibín, i cili më tregoi pse nuk kishte perëndi në romanin e tij House of Names, që gjithashtu zhvillohet në botën e Luftës së Trojës: romani është një formë thellësisht njerëzore, tha ai, dhe perënditë nuk kanë punë në të. Dhe, të paktën për Nolanin, kështu është edhe kinemaja. Por, pse të humbasë shkëndija seksuale? Nuk munda t'i shpëtoja dyshimit se, duke zbehur aventurat jashtëmartesore seksuale të Odisesë (dhe gjithashtu dykuptimësinë e Penelopës ndaj burrave që garojnë për t'u martuar me të në Itakë), Nolani ka gjetur një mënyrë tjetër për ta zbutur Odisenë deri në atë pikë sa të jetë moralisht e pranueshme për kohët moderne.

Lexojeni poemën. Nuk do të pendoheni. (Nëse ju duket e frikshme, unë dhe Mary Beard kemi një seri podkastesh për këtë.) Dhe, porositeni paraprakisht librin e Alice Oswaldit, Rhapsody: a Manifesto, që del në shtator dhe nxjerr në pah në mënyrë të shkëlqyer cilësitë e rrjedhshmërisë së Homerit, mrekullinë e plotë të rrëfimeve të tij brenda rrëfimeve, atyre tregimeve odiseike që zhvishen shtresë pas shtrese si një qepë për të zbuluar rrëfime të tjera. Ajo do t'ju tregojë se si krahasimet e poemës dhe përshkrimet në dukje formulore të personazheve janë një formë udhëtimi në kohë, në të cilën realitetet e ndryshme, të papajtueshme, mund të bashkëjetojnë në një mjegullim vezullues të përkohshmërisë poetike, të cilin kinemaja, ose të paktën kjo lloj kinemaje, nuk mund ta riprodhojë.

Gjëra të tilla do t'i përjetoni vetëm nëse zhyteni tërësisht në poemë. Ajo që do të mësoni nga filmi ka të bëjë me veten tonë: me preokupimet e Nolanit dhe me atë që ndjeshmëritë moderne mund të përballojnë. Leximi i poemës e kthen vështrimin nga jashtë - drejt një realiteti tjetër që e njohim, por që, në të njëjtën kohë, është i huaj, i egër, i çuditshëm, i mrekullueshëm dhe shqetësues, dhe kaq i ndryshëm nga i yni. Shikojeni filmin, po. Pastaj hapni faqet e një libri dhe humbuni në një botë tjetër, të cilën asnjë kamerë Imax nuk do të mund ta sillte ndonjëherë në jetë. /Telegrafi/