Please enter at least 3 characters.

Njëmbëdhjetë shqiptarë të larguar nga puna në Mitrovicë të Veriut, Doli-Ferati e quan krim

Zëvendëskryesuesja e Kuvendit Komunal në Mitrovicë të Veriut, Aida Doli Ferati, ka ngritur shqetësime lidhur me shkarkimin e udhëheqësve të sektorëve në komunë, duke thënë se kjo është bërë pa arsyetim dhe vetëm pse kanë qenë shqiptarë.

“E kisha një pyetje për kryetarin, sidomos për udhëheqësit e sektorëve të cilët, si keni ardhur, i keni shkarkuar vetëm pse kanë qenë shqiptarë. Unë e kuptoj që një kryetar komune mund t’i shkarkojë ushtruesit e detyrave, dmth të sektorëve të ndryshëm, dhe mund t’i ngarkojë ata, por nuk e kuptoj se pse shkarkimi diku prej 11 personave është bërë në një fletë A4, dmth të gjithë përnjëherë, pa asnjë arsyetim për asnjërin, pa asnjë masë disiplinore për asnjërin, vetëm pse ke të drejtë si kryetar me ushtru këtë detyrë".

"Pyetja ime është: nëse kish me qenë serb, a do e kishe bërë të njëjtën gjë? Dmth, në formën më radikale i keni shkarkuar udhëheqësit e sektorëve pa asnjë arsyetim, vetëm pse janë shqiptarë? Kjo gjë që ka ndodh mua si përfaqësuese e komuniteteve më frikëson shumë, kështu që shikoni këto dhe keni kujdes, se keni shkelur proceduralisht. Gjë të cilën unë rekomandoj që të gjithë të prekurit në këtë procedurë t’iu drejtohen gjykatave, se do t’i fitojnë një nga një, kështu që mos bëni kësi ndarësi. Ju kur jeni betuar keni thënë se jam kryetar i një komune multietnike dhe do të kujdesem për secilën etni që të jetojë në mënyrën më të mirë të mundshme dhe të kujdesem për mirëqenien e tyre. Çka jeni duke bërë është krim“- tha Ferati-Doli

Në kundërpërgjigje ndaj zëvendës-kryesueses Aida Doli Ferati, kryetari i Komunës së Mitrovicës së Veriut, Milan Radojeviq, tha se nuk kanë marrë asnjë vendim të ri, por vetëm kanë ndjekur vendimet e Kuvendit të kaluar.

“Dua ta përsëris edhe njëherë, ne kemi ndjekur vendimet e mëparshme të kësaj kuvendi, kështu që nuk kemi marrë asnjë vendim të ri, vetëm kemi ndjekur atë që kishte vendosur kuvendi i mëparshëm, por është treguar se ato vendime nuk janë zbatuar dhe nuk janë bërë sipas ligjit. Sa i përket çështjes tjetër, duhet vetëm të përmend, thjesht për t’u parë sa punëtorë serbë ka në këtë komunë, dhe unë mendoj se kjo është përgjigja për atë se sa punoi pushteti i mëparshëm në interes të komunitetit pensionist".

"Nuk do të komentoj më tej, mendoj se të gjithë të nderuarit këshilltarë, kur dilni nga kjo sallë, mund të ecni lirisht në korridoret e komunës suaj dhe do të shihni sa serbë janë punësuar aty dhe sa është punuar për të përmirësuar pozicionin e serbëve dhe sa është dashur që të ketë serbë në këtë komunë”- tha ai

KosovaPress ka raportuar se më 26 janar, tre punëtorë shqiptarë të angazhuar si zyrtarë për Komunitete dhe Kthim në Komunën e Mitrovicës së Veriut, janë larguar nga puna. Të njëjtit e kanë cilësuar vendimin si “politik, diskriminues” dhe të bazuar në kuota etnike.