Një vit punë për 35 cent/kg, fermerët shqiptar ankohen për çmimin e pjeshkës
Prodhimi i pjeshkës dhe nektarinës në Lumas të Cërrikut ka qenë i bollshëm këtë vit, por fermerët thonë se çmimet e ulëta të shitjes po i lënë pa fitim. Ata shprehen se rritja e kostove të prodhimit dhe mungesa e fuqisë punëtore po e bëjnë gjithnjë e më të vështirë zhvillimin e aktivitetit bujqësor dhe sigurimin e fitimit nga puna e një viti.
“Prodhim ka shumë, po s’ka çmim. 20 vite kam që merrem me këtë punë, kemi qenë në Greqi, jemi kthyer nga kurbeti dhe investuam këtu. Me 50 lekë (55 cent), 40 (45 cent) edhe 30 lekë (35cent) e kemi shitur, sipas mallit. Kemi 1 hektar, kam kajsi edhe pjeshkë. Me vite shkon edhe pjeshka, vjet s’pati prodhim, pati çmim, kemi qenë të kënaqur, këtë vit ka prodhim, po s’ka çmim. Dje na ra dhe breshëri”, thotë fermerja Dorjana Hoxha.
Fermerët thonë se puna në pemëtore zgjat gjatë gjithë vitit, ndërsa shpenzimet për plehra, spërkatje dhe mirëmbajtje janë rritur ndjeshëm. Përveç çmimeve të ulëta, ata përballen edhe me mungesën e fuqisë punëtore, pasi, sipas tyre, të rinjtë janë larguar nga vendi. Ata thonë se pagesa për një punëtor sezonal varion nga 25 deri në 30 mijë lekë në ditë, një kosto që nuk arrijnë ta përballojnë me çmimet aktuale të shitjes.
“1 vit që i vish vërdallë, që në janar që i bëjmë spërkatje, i krasisim, burrë e grua dhe fëmijën e torturojmë këtu. Po fuqia punëtore? S’ka, djalin marr. Pse nuk ka? Kanë ikur. Ç’do bëjnë? Pjeshka me 30 lekë. Çmimet kanë vajtur. 1 kuintal pleh, 100 mijë lekë, po si shtive një çikë pleh, kjo nuk bëhet. Sa merr një punëtor në sezonin e vjeljes? 30 kërkojnë, 25. Ne nuk na leverdis të marrim punëtorë, mundohemi vetë”, thotë ajo.
Fermerët kërkojnë më shumë mbështetje për sektorin dhe masa që do t’u siguronin një treg më të qëndrueshëm për prodhimet e tyre.


