Një tjetër ndryshim historik në futboll? Infantino konfirmon se FIFA do të shqyrtojë Botërorin me 64 ekipe
Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, ka bërë të ditur se mundësia e rritjes së numrit të pjesëmarrësve në Kupën e Botës nga 48 në 64 kombëtare do të shqyrtohet pas përfundimit të Botërorit 2026.
Infantino vlerësoi formatin aktual me 48 ekipe, duke theksuar se turneu ka rezultuar një sukses i madh dhe se kombëtaret nga të gjitha kontinentet kanë treguar nivel të lartë konkurrues.
“Një turne me 48 kombëtare ka rezultuar jashtëzakonisht i suksesshëm. Të gjitha ekipet kanë treguar një nivel të lartë loje. Kombëtaret nga çdo kontinent kanë shënuar gola dhe kanë arritur të marrin të paktën një pikë”, deklaroi kreu i FIFA-s.
Ai veçoi gjithashtu paraqitjen e skuadrave afrikane në Botërorin 2026, duke theksuar se nëntë nga dhjetë përfaqësueset e kontinentit arritën të kualifikohen në fazën me eliminim direkt.
“Kjo tregon edhe një herë se sa e rëndësishme është t’u japim të gjithëve një mundësi për të konkurruar në skenën më të madhe të futbollit”, shtoi Infantino.
I pyetur për një Kupë Bote me 64 ekipe, presidenti i FIFA-s nuk e përjashtoi këtë mundësi.
“Botërori me 64 ekipe? Pa dyshim që kjo çështje do të shqyrtohet pas përfundimit të këtij Botërori. Kur organizojmë një turne të tillë, duhet të marrim parasysh jo vetëm Evropën dhe Amerikën e Jugut, por të gjithë botën. Çdo vend duhet të ketë mundësinë të realizojë ëndrrën për të marrë pjesë në Kupën e Botës”, përfundoi ai.
FIFA e zgjeroi Kupën e Botës nga 32 në 48 ekipe për edicionin 2026, ndërsa një zgjerim i mëtejshëm në 64 kombëtare do të ndryshonte edhe më shumë strukturën e kompeticionit më prestigjioz të futbollit botëror. /Telegrafi/


