Nis me tensione sesioni i ri parlamentar, përplasje mes protestuesve dhe policisë
Nisja e sesionit të ri parlamentar këtë të martë është shoqëruar me protesta dhe tensione jashtë Kuvendit.
Në zonën ku po mbahet protesta janë regjistruar edhe shoqërimet e para nga policia, e cila ka shtuar praninë dhe ka siguruar perimetrin përreth institucionit.
Sipas raportimeve nga vendi i ngjarjes, disa protestues kanë tentuar të kalojnë perimetrin e sigurisë, ndërsa policia ka ndërhyrë duke shoqëruar disa prej tyre.
Gjatë tensioneve, drejt efektivëve të policisë janë hedhur edhe vezë.
Ndërkohë, nisjes së sesionit të ri parlamentar i kanë paraprirë debate të forta në Konferencën e Kryetarëve, ku një nga çështjet kryesore ka qenë ajo e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Situata jashtë Kuvendit mbetet e tensionuar, ndërsa forcat e rendit po vazhdojnë të mbajnë nën kontroll zonën përreth godinës së institucionit.


